Policia një ditë pas shpërthimit të gazit tek ish- Metalurgjiku në Elbasan ka arrestuar administratorin e firmës private.
Nga shpërthimi u plagosën tre punonjës të kësaj firme në ambientet e punës dhe tashmë Policia ka referuar materialet hetimore në prokurori për administratorin Y.P, 54 vjeç për shkelje të rregullave të mbrojtjes së punës.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Elbasan
Policia e Elbasanit vë në pranga administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, në të cilin, gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.


