Ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesit e sotëm ku është raportuar i vdekur punonjësi i Gardës së Republikës dhe njëkohësisht edhe shoferi i ministrit Xhafaj.
Mirëpo raste të tilla nuk janë të pakta. Nga Saranda në Durrës, AlpeNews.al ju risjell në kujtesë rastet e efektikëve të policisë, apo personave që kanë vrarë veten me armën e shërbimit.
Çfarë ndodhi sot:
Gardisti, që në të njëjten kohe ishte edhe shoferi i ministrit Xhafaj quhej Shkëlzen Qordjan, 31 vjeç.
Ai është gjetur në garazhin e tij, i pajetë dhe me plumb në kokë.
Dyshimet e para ishin se ai kishte dy ditë që ishte pezulluar nga detyra por këshilltari i Ministrisë së Brendshme deklaroi se 31 vjeçari ishte me detyrë funksional shofer i ministrit Xhafaj.
Pas ekspertizës u bë e ditur se 31 vjeçari ka vrarë veten, pasi iu gjetën një automatik në dorë (që ishte edhe arma e tij e sherbimit), dhe 3 gëzhoja që u sqaruan si “Qitje me breshëri”.
Rastet:
Efektivja në Durrës
Një efektive e policisë së Durrësit i ka dhënë fund jetës në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ka ndodhur në Katund Sukth, ku 23-vjeçarja P. Shahini është vetëvrarë me armën e shërbimit.
Ajo është gjetur nga familjarët, të cilët kanë lajmëruar më pas policinë.
Peranxhela Shahini
Një plumb në bark i ka marrë jetën 23- vjeçares, ndërsa tentativa për t’i dhënë ndihmën e shpejtë e për ta çuar në spital ka qenë e kotë pasi e reja ka ndërruar jetë.
Sipas Policisë, 23-vjecarja është vetëqëlluar në katin e dytë të banesës.
Fier/ 46 vjeçari vret veten me armën e shërbimit
Ka mbaruar turnin dhe sapo është kthyer afër drejtorisë së policisë, në një nga dhomat që përdoreshin për të fjetur, ka shkrepur armën e shërbimit drejt vetes. 46-vjeçari K.F, i ka dhënë fund jetës në mënyrën tragjike.
Kastriot Fafaj
Kanë qenë kolegët ata që kanë dëgjuar shkrepjen e vetme të armës, dhe kanë vrapuar drejt dhomës, ku kanë gjetur të pajetë 46-vjeçarin.
Berat/ Efektivi i policisë vret veten
Efektivi i vetëvrarë është identifikuar si 41-vjeçari Ilir Nano, nga Poliçani, por banues në Berat. Mësohet se efektivi ka qenë në punë gjatë ditës së sotme dhe menjëherë pas përfundimti të orarit zyrtar ka kryer aktin e rëndë.
Ilir Nano
Policia e Beratit po punon për të mësuar shkaqet e kësaj vetëvrasjeje, edhe pse ai njihej si një punonjës i rregullt dhe pa asnjë konflikt të ditur.
Ilir Nano jetonte prej disa vitesh në Berat, pikërisht në lagjen “Çlirim”, në një banesë me qira.
Inspektorja 23 vjeçe nga Saranda vret veten. Gjendet e vrarë në dhomën e saj
Një efektive e Policisë së Shtetit i ka dhënë fund jetës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:21, në qytetin bregdetar të Sarandës. Sipas policisë, 23-vjeçarja Jeroldina Iljazi, është gjetur e vrarë në dhomën e saj.
Jeroldina Iljazi
Nga hetimet ka rezultuar se efektivja i ka dhënë fund jetës me armën e shërbimit.
Në momentin e kryerjes së krimit, në banesë ka qenë edhe gjyshja e saj. Jeroldina Iljazi ishte me gradën inspektore.
/AlpeNews.al








