Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë me disa ushtarë të repartit komando duke e përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes në një skandal ndërkombëtar.
Burimet paraprake bëjnë me dije se katër ushtarë Komando të Shqipërisë që ishin për një trajnim në Londër nuk janë kthyer në vendin e shërbimit siç duhej të bënin duke ngritur alarmin tek autoritetet lokale.
Arratisja e katër ushtarakëve shqiptarë nga trajnimi ushtarak në një bazë në Angli, ka bërë që prokuroria e Tiranës të nisë hetimet për akuzën e “Mosparaqitjes në repart”.
Hetimet kanë nisur nga seksioni ushtarak në prokurorinë e kryeqytetit. Kallëzimi është depozituar nga Policia Ushtarake, që është në varësi të ministrisë së Mbrojtjes.
Ende nuk dihen emrat e katër ushtarakëve që kanë dezertuar nga baza ushtarake, ku kishin shkuar për tu trajnuar.
Prokuroria thotë se nga fillimi i tetorit deri në mesin e nëntorit 2017 janë depozituar nga policia ushtarake 16 kallëzime penale kundër efektivë të ushtrisë që kanë vendosur të thyejnë betimin dhe mos paraqiten në repart.
Kjo është një ngjarje e rëndë që përfshin këtë institucion dhe cënon marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e NATO-s, pasi tashmë askush nuk mund të marrë përsipër pranimin e ushtarëve nga vendi ynë për trajnim të shtete si Britania e Madhe apo SHBA-të.


