Një çift bashkëshortësh, biznesmenë janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në vilën e tyre në Allias pas tentativës së grabitjes nga dy persona të armatosur. Të plagosurit janë Petrit Laze 61-vjeç dhe Aferdita Laze 59-vjeçe. Report Tv mëson se burri, Petrit Laze ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe është ende në sallë ku po i nënshtrohet një ndërhyrje, pasi ka marrë një plumb në bark. Gruaja ka marrë një plumb në kofshë, por paraqitet në gjendje më të stabilizuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në rrugën “Njazi Meka” në vilën e çiftit. Sipas policisë dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tyre për ti grabitur, por në momentin që janë konstatuar nga Petrit dhe Afërdita Laze, njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit duke i plagosur.
Ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të çiftit janë dëgjuar nga fqinjët që kanë shkuar me shpejtësi dhe kanë lajmëruar policinë. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se nga të dhënat e para, bazuar te grupi hetimor, autorët nuk kanë arritur që të marrin gjë, megjithatë vijojnë verifikimet. Petrit dhe Aferdita Laze janë me origjinë nga Skrapari dhe në Tiranë kanë ardhur në 1994, ndërsa kanë disa dyqane të prodhimeve të brumit (bukë, etj). Policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehjen e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shqiptraja.com siguron fotot e çiftit të biznesmenëve me origjinë nga Skrapari që u plagosën mbrëmjen e sotme në zonën e Alliasit në vilën e tyre në Tiranë. Të plagosurit janë Petrit Laze dhe Aferdita Laze.