Dalin detajet nga shkeljet për të cilat zyrtare e ish- zyrtare te Ministris se Drejtesise përfunduan në burg, nën akuzën e shpërdorimit të detyres dhe cënimit te barazise ne tendera.
Vizion Plus ka zbardhur vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi të lërë në burg 3 persona, drejtori i shërbimeve mbështetëse Aurel Lamce, si dhe specialistët e IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.
Ndërsa në arrest shtëpie u la ish- sekretarja e përgjithshme e Ministrisë, Juliana Hoxha, ndonëse Prokuroria kërkoi arrest me burg. Për 8 të tjerë, gjykata vendosi masën detyrim paraqitje.
Në kërkesën për gjykim thuhet se tenderi i monitorimit me kamera në burgun e Lezhës e të Fushë-Krujës, është lidhur në kundërshtim me ligjin.
Investimi i kryer sipas akuzës, nuk është i argumentuar me efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore.
Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se në momentin e lidhjes së kontratës, Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, nuk ka pasur në dispozicion fonde të mjaftueshme.
Sipas Prokurorisë, kjo gjë është vërejtur edhe në hetimet e të paktën dy tenderave të tjerë.
Si pjesë e kësaj dosjeje, në hetim ishin një grup i gjerë personash, 12 prej të cilëve u çuan në gjykatë nga Prokuroria.
Ndërsa hetimet u shtrinë në 5 tendera të ndryshëm për periudhën kohore 2016-2017.
Ato kishin në fokus mirëmbajtjen e sistemit te kamerave në 7 gjykata administrative, mbikqyrjen elektronike, regjistrin noterial, kamerat e burgut te Lezhes dhe Fushe Krujes si dhe sistemin elektronik te permbarimit.
Ish-ministrat e LSI do të merren në pyetje
Ish-ministrat e Drejtësisë, Ylli Manjani e Petrit Vasili do të merren në pyetje në lidhje me abuzimet në 5 tendera zhvilluar nga kjo Ministri.
Bashkë me ta do të merret në pyetje edhe ish-ministri i PD-, Gazmend Bardhi.
Ministrat mësohet se do të pyeten javën e ardhshme për rolin e tyre në procedurat e ndjekura për prokurimet e kryera.
Në lidhje me këto shkelje janë arrestuar 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtesisë.
Mbi ta rëndon akuza “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, duke i sjellë buxhetit të shtetit dëm disa milionë euro në dy vite.
Tenderat për të cilët ata akuzohen kanë të bëjnë me përmirësimin e regjistrit noterial dhe përmbarimor.
Pavarësisht se këto dy shërbime nuk funksiononin, buxheti i shtetit vazhdonte të paguante për to.
Gjithashtu janë gjetur shkelje të rënda në sistemin e mbikëqyrjes elektronike dhe regjistrin online të 7 Gjykatave Administrative.
Abuzime janë gjetur edhe në tenderin e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujës dhe Lezhës.
Këto kamera sipas hetimeve janë jashtë çdo standardi që duhet të plotësojnë pasi nuk kanë cilësinë e duhur.


