Një grup kriminal i përbërë nga shqiptarë dhe shtetas nga Kuba është goditur në Spanjë.
Mësohet se grupi që vepronte në Valencia ku trafikonte drogë, e po ashtu kishte ngritur disa magazina ku kultivonin kanabis.
Lënda narkotike ishte mbjellë në magazinë industriale në Xeresa dhe një tjetër në një apartament në plazh në Gandía. Po ashtu, u gjet edhe një tjetër plantacion, në një magazinë industriale në qytetin e Rotovës. Në total u sekuestruan pothuajse një ton kanabis sativa, ndërsa 308 kilogramë ishin në procesin e tharjes.
Në kontrollet e ndryshme janë sekuestruar edhe filtra karboni, ventilatorë, depozita, ndriçues etj., me vlerë 170 mijë euro, disa pajisje celulare, 2 mijë euro cash, një furgon dhe një makinë, po ashtu edhe transformatorë të tensionit të mesëm dhe objekte portative të rritjes dhe tharjes së marijuanës, me një vlerë prej më shumë se 250 mijë euro. Në total vlera e materialit të sekuestruar arrin në 420 mijë euro.
Tre nga anëtarët e grupit janë me kombësi shqiptare dhe janë nga 29 deri në 43 vjeç.


