Punonjësi i sigurisë dhe rendit vijon të jetë një profesion burrëror në Shqipëri. Vetëm 15% e uniformave blu janë vajza dhe gra, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së llogaritej në 20.4% në 2023-in.
Ndonëse ndër vite numri i tyre ka ardhur në rritje, sërish përqindja e vajzave dhe grave në shërbim të zbatimit të ligjit, rendit dhe sigurisë mbetet e ulët dhe kjo për shkak të paragjykimeve.
Aeda Mara, edhe pse ka mbaruar shkollën e lartë për asistente dentare, prej dy vitesh ushtron detyrën e efektives në terren në Komisariatin nr. 4 në Tiranë.
“Unë kam mbaruar shkollën e lartë për asistente dentare dhe më pas zgjodha të bëj kursin 9-mujor të policisë. Ka vështirësitë e veta, por ka edhe anë pozitive. Vështirësia më e madhe është pjesa e paragjykimeve, më shumë nga qytetarët, se janë akoma me atë mentalitetin që e shikojnë ende një profesion burrëror dhe mendojnë që femrat nuk e bëjnë dot”, tha Aeda Mara, efektive, Komisariati nr. 4, Tiranë.
Profesionin e polices e cilëson jo të lehtë dhe kjo kur bëhet fjalë për zgjidhjen e konflikteve në terren, por akoma më të vështirë kur vjen puna tek dhuna brenda familjes.
“Momenti i vështirë është kur duhet të ruash qetësinë në situata të ndryshme dhe të kesh një vetëkontroll shumë të lartë. Në momentin që ne marrim njoftime jemi aty, edhe kjo është një pjesë e sikletshme kur shikon që konfliktet në familje po shtohen dita-ditës”, shtoi efektivja.
Të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit tregojnë se në vitin 2009 në Shqipëri ka pasur vetëm 810 vajza dhe gra që ushtronin detyrën e efektives dhe tashmë kemi arritur në afro 2 mijë të tilla të punësuara.
Numri i burrave në strukturat e policisë është shumë më i lartë krahasuar me atë të grave, me përjashtim të nivelit civil, ku mbi 51% janë femra.


