Në prill, numri i aksidenteve ishte 123, me rritje mbi 78% në raport me prill 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave. Referuar publikimit si 4-mujor, në total, numri i aksidenteve ishte 500 nga 332 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në muajin prill 2024 numërohen 123 aksidente rrugore, nga të cilët 164 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë 4-mujorit të parë 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,8 për 100 aksidente, nga 17,8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në publikimin e INSTAT.
Pas një periudhe me ulje aksidentesh, e vënë re kryesisht gjatë vitit të shkuar, duket se tendenca këtë vit është në drejtim të kundërt, ku muaj pas muaji aksidentet rrugore kanë shënuar rritje.
Në muajin prill 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e hënë me 23,5%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e shtunë, me 9,8 %.


