Aksionerët e kompanisë Tesla kanë miratuar një paketë kompensimi rekord për shefin ekzekutiv, Elon Musk, e cila mund të arrijë vlerën marramendëse prej gati 1 trilion dollarësh.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes vjetore të aksionerëve të enjten, ku 75% e votave ishin pro marrëveshjes. Njoftimi u prit me duartrokitje të mëdha nga pjesëmarrësit, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kompanisë, raporton BBC.
Sipas marrëveshjes, Musk do të duhet të rrisë ndjeshëm vlerën e tregut të Tesla-s brenda dhjetë viteve të ardhshme. Nëse ai arrin objektivat e parashikuara, do të shpërblehet me qindra miliona aksione të reja.
Megjithatë, shkalla e jashtëzakonshme e kësaj pagese ka ngjallur kritika. Disa analistë e quajnë marrëveshjen “të tepruar”, por bordi drejtues i Tesla-s ka argumentuar se kompania rrezikonte ta humbiste Musk nëse paketa nuk miratohej.
Pas miratimit, Musk u ngjit në skenë në Austin, Texas, ku vallëzoi mes brohoritjeve të turmës.
“Ajo që po nisim nuk është thjesht një kapitull i ri në historinë e Tesla-s, por një libër krejtësisht i ri,” deklaroi ai.
“Takimet e tjera të aksionerëve janë të mërzitshme, tonat janë spektakolare. Shikoni këtë atmosferë!” shtoi miliarderi mes duartrokitjeve.Për të marrë shpërblimin maksimal, Musk duhet të rrisë vlerën e tregut të Tesla-s në 8.5 trilionë dollarë, nga 1.4 trilionë dollarë që është aktualisht. Një tjetër objektiv madhor është vendosja në funksion e një milion automjeteve vetëdrejtuese “Robotaxi”.
Megjithatë edhe nëse Elon Musk nuk arrin disa nga këto objektiva, ai sërish mund të përfundojë duke fituar shumë para.


