Ylli Rakipi thotë se nëpërmjet një marrëveshjeje me kryeministrin Rama për reformën zgjedhore, Lulzim Basha do të bënte të mundur mbajtjen mbyllur të PD-së. Në një analizë në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Rakipi nuk e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje të tillë.
“Mund të ndodhë. Lulzim Basha po qe se është aksident në politikë, siç po duket, kjo është mënyra që mund të përdorë ai për të mbyllur PD-në”, tha ai.
Rakipi tha se marrëveshja PS-PD në vitin 2008 penalizoi partitë e vogla, gjë që sipas tij vështirë të ndryshojë.
“Me këtë ligj që kanë bërë këta në 2008 u kanë mbyllur derën të gjithëve. Edhe PD nuk bën dallim nga kjo pjesë, përjashto partitë e vogla që janë të inatosura. Sistemi të mbetet i mbyllur këtë ka si qëllim: që këta të kalcifikohen në pushtet. Në fund ai që e ha është sistemi. Nuk dënohet asnjë që vjedh votat”, tha ai.
Rakipi e konsideron të drejtë kërkesën e opozitës për identifikimin biometrik.
“Nëse do të kishim një maxhorancë normale, ajo do t’i lejonte opozitës të bënte çfarë donte. Opozita kërkon identifikimin biometrik. Kjo opozitë ka folur ditën dhe natën që Edi Rama i ka vjedhur votat. Një mënyrë e vjedhjes së votës është votimi me kartë ideniteti. Në 2017 shitej karta, dërgohej edhe me postë dhe paguheshin lekët në mënyrë masive. Këtë gjë mund ta bënte maxhoranca, ata që kontrollojnë sistemin. Pra opozita kërkon identifikim biometrik dhe kuptohet nëse ke shkuar vërtet për të votuar”, tha ai.