Tre kushërinj, njëherazi edhe fqinj kanë mbetur të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në afërsi të një fabrike çimentoje në Mamurras. Ngjarja mësohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie.
Sipas autoriteteve, gjatë konfliktit për një sipërfaqe toke ka mbetur i plagosur efektivi i policisë Sahit Ahmetaj (Sela), i cili ishte jashtë shërbimit.
Po ashtu i plagosur mbeti edhe kushëriri i tij, Adrian Sela. Rreth 1 orë pas ngjarjes policia njofton se në spital u paraqit për ndihmë mjekësore edhe vëllai i këtij të fundit, Fatos Sela, i plagosur gjithashtu me armë zjarri.
Të plagosurit ndodhen në kujdesin e mjekëve. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


