Diçka jo e zakonshme po ndodh në Ballkan ditët e fundit, të cilat ndoshta janë duke parathënë, atë që pritet të vijë në muajt dhe vitet e ardhshme.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë orët vendimtare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Në janar 2020, Shqipëria do të mari për herë të parë drejtimin e OSBE, duke ngjitur një shkallë të rëndësishme në afirmimin tonë në arenën ndërkombëtare.
Në Kosovë pritet të formohet qeveria e re e dalë nga vota e së dielës, ku qytetarët mandatuan Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin të qeverisin vendin, duke lënë në opozitë politikanë që njihen ndryshe si ish komandantët e Luftës.
I dërguari special i Presidentit Grenell dhe Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer ishin bashkë në Berlin, në prag të vizitës në Kosovë, për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë.
Presidenti turk Erdogan ishte në Beograd, për të inauguruar fillimin e punimeve për autostradën që do lidhi Serbinë me Sarajevë.
“Perëndimi është i shqetësuar me shtimin e influencës turke, por edhe ruse dhe kineze në këtë rajon. Kjo me siguri që do të shtrohet si çështje edhe në procesin e afrimit të Serbisë me BE”, pohon Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Bullgarja e Kristalina Georgieva është bërë ballkanasja e parë që do të drejtojë Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ndërkohë që Sekretari i Shtetit amerikan Mike Pompeo tha se në një kontekst më të gjerë, SHBA kujdeset që Ballkani të stabilizohet, pasi ky është një rajon me “plot sfida” dhe se SHBA dëshiron që Greqia të udhëheqë këtë proces.
Lëvizje të mëdha po ndodhin në gadishullin tonë dhe shqiptarët, janë në një moment të ri për të ardhmen plot sfida por edhe me shpresa të mëdha. Ditët dhe javët e ardhshme, do të jenë përcaktuese. A do ia dalim? Kjo është çështja!
/Marrë nga Alfred Peza blogu personal