Qëndrimi kundërshtues i shumë shteteve në të gjithë botën ndaj pavarësisë së Katalonjës po jep efekte negative edhe për Republikën e Kosovës. Serbia ka shfrytëzuar qëndrimin kundër të Bashkimit Europian, SHBA-së, Rusisë, Kinës, Indisë, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë shteteve të tjera, për të hequr paralele me ish-provincën e saj.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, kryeministrja Ana Brnabic dhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiç kanë nisur një aksion të fuqishëm duke akuzuar shtetet perëndimore për përdorimin e dy standardeve. Ata pretendojnë se Katalonja u prodhua për shkak të Kosovës, ndërsa flasin për skenare edhe më të errëta për Evropën dhe rajone të tjera të nxehta.
Që nga shpallja e pavarësisë së Katalonjës, katër shtete kanë deklaruar se janë tërhequr nga njohja e Kosovës. Surinami në Amerikën e Jugut, Nigeria, Ugana dhe Sao Tome në Afrikë kanë njoftuar Beogradin se nuk e njohin autoritetin e Prishtinës.
Fillimisht, Ministria e Jashtme e Kosovës mohoi që të kishte dijeni për vendimin e Surinamit, ndërsa theksoi se tërheqja nga njohja e pavarësisë nuk ekziston si koncept në sistemin ndërkombëtar. Por dje në Beograd ka mbërritur ministri i Brendshëm i Surinamit duke qartësuar pozicionin e vendit të tij kundër Prishtinës.
Ministria kosovare ka të drejtë kur thotë se tërheqja nuk ekziston si koncept, por ajo ka rëndësi kur bëhet fjalë për qëndrimin që shtetet mbajnë për hyrjet e reja në organizatat e rëndësishme.
Rasti më i qartë është votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në vitin 2015-të. Ndonëse Uganda e kishte njohur Republikën e Kosovës në atë periudhë, në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s votoi kundër. Nigeria, që sot raportohet gjithashtu të jetë tërhequr, abstenoi në votim, së bashku me 12 shtete të tjera që njohin Kosovën.
Katalonja pritet të ndikojë edhe në ngadalësimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, sidomos në Bashkimin Evropian.
Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro, së bashku me Spanjën janë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën, ndërkohë ato i kanë dhënë së fundmi mbështetje Madridit duke refuzuar shkëputjen e rajonit katalanas. Qëndrimi kundër Katalonjës e vështirëson një qëndrim të mundshëm pro Kosovës të këtyre shteteve në të ardhmen e afërt. Beogradi nga ana tjetër ka rritur presionin ndaj Brukselit duke e akuzuar për standard të dyfishtë.
Një tjetër kartë me të cilën Beogradi po luan fortë është edhe ‘mosnjohja’ e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Çekisë, Milos Zeman. Praga e njeh pavarësinë e shpallur më 17 shkurt të 2008-ës dhe qeveritë e këtij vendi kanë votuar gjithnjë në favor të Prishtinës për anëtarësime në organizata të ndryshme, por presidenti Zeman ka qenë gjithnjë një kundërshtar i hapur. Së fundmi ai ka refuzuar të caktojë një ambasador në Prishtinë dhe nuk ka pritur në zyrën e tij përfaqësuesin kosovar. Në zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara pak javë më parë në Çeki, fitoi kandidati Andrej Babiš, i njohur për miqësi me Zeman, çka krijon rrezikun e një qëndrimi më të ashpër të Pragës kundër Prishtinës në të ardhmen. Deklaratat e presidentit Zeman kundër Kosovës publikohen nga mediat serbe pothuajse çdo muaj.
Kjo ngecje e Prishtinës për të fituar njohje të reja vjen në një kohë kur marrëdhëniet me Bashkimin Europian janë tensionuar për shkak të mosliberalizimit të vizave, ndërkohë interesi amerikan në Ballkan po njeh gjithnjë e më shumë ulje.


