Çmimi i rrugës Milot-Balldren është lehtësisht i verifikueshëm, ndërsa Partneritetet Publike Private janë investime që ngelen”, – deklaroi mbrëmje e djeshme Kryeministri Edi Rama, duke folur për projektin e ndërtimit të rrugës Milot-Balldren.
“Që kur kam qenë ministër Kulture që bëra projektin e restaurimit të kompleksit të ministrive, që në atë kohë ishin një terr i madh e zhgarravina, që atëherë deri më sot nuk mbaj mend një herë të vetme që të kem bërë një punë dhe të mos jem akuzuar si kriminel. Këtu po bëre punë, akuzohesh”, – tha Rama.
Ai theksoi se këto projekte nuk janë të fshehta, por e ka thënë publikisht në fushatë. “Për ta bërë një vepër brenda një kohe të caktuar fton një privat, ai financon dhe ti si shtet paguan në vite, por veprën e ke marrë brenda 2 apo 3 vitesh. Kjo është PPP, fton partnerin privat që ai të bëjë një volum punimesh që ti nuk e bën dot me buxhetin e shtetit”, – tha Rama.
Lidhur me koston e rrugës, Rama tha se “ka një manual punimi dhe mbi bazë të atij manuali caktohen çmimet”. “Rrugët janë aty dhe për çdo volum punimesh ka një çmim në manualin e punimeve civile të Republikës së Shqipërisë. Është skandal të thuash kaq kilometra me kaq lekë, sepse nëse ato kilometra janë rrugë e drejtë ka një çmim, nëse ka ura, tunele, vepra arti atëherë ka çmime të tjera. Nëse rruga përveç tre korsive bëhet me standard A ku ka dhe dy rrugë paralele ka tjetër çmim”, – tha Rama.
Çmimet, sipas tij, “janë me manual, të verifikueshme”. Po ashtu Rama tha se “po të shikojmë çmimin fillestar me të cilin është nënshkruar kontrata e rrugës Tiranës-Elbasan me çmimin final, kapërcehet me tri herë kostoja. Ndërsa në rastin e PPP-ve risku është te privati, është kontratë e mbyllur”, – tha Rama.
Si shembull të funksionimit të PPP-ve Kryeministri veçoi Rrugën e Arbrit e premtuar prej kohësh por që s’mund të realizohej për mungesë fondesh. “Tani dibranët do ta kenë për 2 vjet”, – tha Rama.