Sot pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i dalë nga procesi zgjedhor i 30 qershorit.
Mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Kamzës e ka thirrur prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, dhe do të bëhet në ambientet e shkollës “Hillary Clinton” në qendër të Kamzës. Por, ky vendim i marrë nga prefektja e Tiranës solli edhe reagimin e Partisë Demokratike. Nënkryetari i PD-së, Edmon Spaho, akuzoi Jahollarin se ka abuzuar me detyrën dhe për këtë, PD ka bërë kallëzim penal ndaj saj.
Këtë akuzë PD e mbështet në thirrjen përpara kohe të Këshillit Bashkiak të Kamzës, pasi, sipas tij, Këshilli aktual ka mandat deri në datë 14 gusht.
“Padurimi i Edi Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në vend dhe, nëpërmjet tij, të grabisë çdo pasuri të vendit, e ka shtyrë atë në thellimin e paligjshmërisë së 30 qershorit, duke urdhëruar prefekten e Tiranës të uzurpojë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës. Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 gusht nga sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës. Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cenojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të Këshillit Bashkiak”, deklaroi Spaho.
Ai theksoi se Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të paligjshëm të prefektes së Tiranës, duke e konsideruar atë një ndërhyrje flagrante të qeverisë në ushtrimin e kompetencave të pushtetit lokal.


