Rritja ekonomike ka filluar të ndihet gjithmonë e më shumë në xhepat e qytetarëve më të varfër të vendit dhe efektet do të jenë edhe më të mëdha në vitet në vijim.
Pagat në sektorët ekonomikë më të keqpaguar, si ndërtimi dhe bujqësia, kanë pësuar një rritje të ndjeshme në gjsmën e parë të këtij viti, duke u reflektuar në reduktimin e varfërisë në vend.
Ky është përfundimi i një raporti të publikuar ditën e sotme nga Banka Botërore, për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit, pagat reale në vend janë rritur me një mesatare prej 2,3% në gjashtë muajt e parë të vitit, por rritja është edhe më e madhe në sektorët me performancën më të lartë ekonomike, si energjia, turizmi, bujqësia apo ndërtimi.
Rritja e ndjeshme e shpenzimeve qeveritare në infrastrukturë pritet të krijojë një numër kantierësh të rinj ndërtimi në të gjithë vendin, çka pritet të reflektohet me një rritje të mëtejshme në këtë sektor.
Ndërkohë, përsa i përket bujqësisë, rritja e subvencioneve, eksportet dhe programi për 100 fshatrat turistikë do të udhëheqin një rritje të re të pagave.
Në raportin e publikuar sot, Banka Botërore korrigjoi pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendit, nga 3,6% në 4%.
Një korrigjim i tillë ndodhi pas një performance më të mirë se sa e parashikuara në disa sektorë kyç të ekonomisë.
Përmirësimi i situatës ekonomike në vend u reflektua më parë gjatë kësaj jave edhe në interesin e Eurobondit, që Shqipëria ishte në gjendje ta përfitonte me vetëm 3,5%.
Një interes i tillë është i ngjashëm me interesin që Italia apo shumë vende të tjera të Bashkimit Europian arrijnë të emetojnë bono afatgjata në tregjet ndërkombëtare.
Dy Eurobondet e mëparshëm, në vitin 2010 dhe 2015, u emetuan përkatësisht me 9% dhe 5,75%.
Rritja ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas INSTAT arriti në 4,32%.