Qeveria Shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen me shoqatën “Jetimët e Ballkanit”, e cila do të financojë projektin për ndërtimin e 26 banesave kolektive dhe 9 banesave individuale në Bashkinë Lezhë.
Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kreu i shoqatës Halil Kastrati kanë hedhur firmën për nënshkrimin e marrëveshjes, duke u shprehur se shpresohet që ndërtimi të nisë sa më shpejt, në mënyrë që të strehohen familjet e mbetura pa shtëpi për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
“35 familje të Lezhës do të marrin një shtëpi të re falë donacionit të shoqatës “Jetimët e Ballkanit”.Projekti dhe zbatimi do të hartojn nga donatori në përputhje me legjislacionin shqiptar, ndërsa ndërtimet do të jenë në normat e BE. Jam i bindur se ky do të jetë një nga projektet më të mira të rindërtimit. E keni ndjekur se sa shpejt ka ecur ndërtimi i 48 banesave të para në Farkë. Në fund të muajit gusht do të nisë puna për ndërtimin e banesave kolektive dhe në bazë të procedurës mendojme se në fund të shtatorit do të kemi në zonën e “5 Majit” themelet e para. Kemi miratuar edhe kontributin e dy shoqatave të tjera, Firdeus dhe Rrënjë Shqiptare.
Kemi finalizuar marrëveshjen me Gjermaninë për ndërtimin e 3 shkollave”, tha Ahmetaj ndër të tjera.
“Jam shumë i lumtur që po e nënshkruajmë këtë bashkëpunim. Ne nuk e kemi aksionin e parë e as të fundit. Kemi vizituar objektet e rrënuara dhe kemi marrë vendim të nisim punimet për ndërtimin e shtëpive për familjet që kanë ngelur jashtë”, u shpreh Halil Kastrati.