Dy nga katër personat, të cilët akuzohen për skandalin e pagave të shqiptarëve janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë.
Burimet bëjnë të ditur se Eni Qirjako, specialistja e IT te Tatimet ka zbuluar skemën se si u publikuan të dhënat personale nga serverat e zyrave të shtetit.
Ajo tregoi se kolegu i saj, Andi Agaraj i ka kërkuar të riformatojë kompjuterin për të humbur gjurmët e kërkimeve në rrjet, por Qirjako ka deklaruara se nuk pranoi.
Ndërsa Agaraj ka bashkëpunuar me drejtësinë, duke zbuluar emrat e dy përmbaruesve privatë që ia kishte shitur, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
4 PERSONAT U LIRUAN NGA BURGU
Sot Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 4 personat e arrestuar për publikimin e listës së pagave të më shumë se 630 mijë qytetarëve shqiptarëve.
Mësohet se për Eni Qirjako është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa për Andi Agarain, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi arrest shtëpie.
Në një deklaratë për mediat tre dite me pare drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ka treguar pistat e hetimit ku është përqendruar deri më tani prokuroria për skandalin e publikimit të të dhënave të pagave të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë.
“Pista tjetër e hetimit për t’i shkuar deri në fund jo vetëm për personat që kanë poste shtetërore që kanë shfrytëzuar postin e tyre për ti marrë shfrytëzuar apo shitur por edhe për ata njerëz që kanë krijuar aksesin e pasjes së të dhënave”, tha prokurorja.
Organi i akuzës bën me dije se një specialiste e IT te Tatimet mori pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, i cili ua shiti subjekteve private. Këta dy të arrestuar ishin punonjës të emëruar pranë AKSHI-t, por ndërkohë puna e tyre bazë ishte si specialistë IT-je tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas Imerajt, dy personat që janë punonjës zyrtarë i kanë shitur të dhënat e pagave tek “subjektet private që punonjnë në fushën e përmbarimit me agjenci të ndryshme që këto të dhëna i kanë përdorur për qëllime të tyre apo qëllime të tjera”.


