Albana Vokshi dhe Fidel Ylli janë përplasur në Komisionin e Medias për shkak të goditjes së Bledi Kasmit.
Vokshi ka kërkuar që të Komisioni të nënshkruajë një deklaratë ku dënon dhunën ndaj Kasmit, por Ylli i ka kujtuar asaj vrasjen e protestuesve në bulevard nga Sali Berisha.
Vokshi: Me urdhër të Ramës është mbyllur portali satirik kryeministri.com, pasi vinte në lojë kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Do të kërkojmë seancë dëgjimore me drejtuesit e AKEP-it. Nuk mundet të censurohet, që kryeministri të japë urdhër dhe AKEP-i ta mbyllë.
Një tjetër ngjarje e rëndë, në datë 26 kryeredaktori i ‘RD’ është goditur në mënyrë të qëllimshme në kokë nga Forcat Speciale. Plaga ka qenë e thellë, ka marrë 10 qepje në kokë. Kam hartuar një deklaratë për të firmosur, ju ftoj edhe ju, për lirinë e medias dhe shtypit.
“Dhuna ndaj kryeredaktorit. Ne deputetët e këtij komisioni dënojmë me forcë dhunën ndaj kryeredaktorit të medias së parë të lirë në Shqipëri. Kasmi u godit nga policia. Mjekët nuk u trembën nga kërkesa për të manipuluar raportin mjekësor. Kërkojmë thirrjen me urgjencë në seancë të Kasmit, zbardhjen e kësaj ngjarje dhe i bëjmë thirrje Ramës dhe Xhafës që të dënojnë dhunën.”
Fidel Ylli: Janë vrarë deputetë në Bulevard, po moj po, janë plagosur qytetarë dhe gazetarë, ju e dini më mirë. Edhe pse nuk e pranoni, dhe atëherë nuk reaguat. Konferencat e shtypit shkoni dhe mbajini te selia e PD-së.
Mos të shkojë atje gazetari dhe të nxis dhunën, nuk ka nga e njeh Polici se ai zotëria është gazetar kur nuk ka me vete mjet identifikimi. Do flas dhe nuk të pyes ty. Pasi dështuat në protestë, shkuat dhe e futët kokën te policia, gazetari shkoi dhe shkuli hekurat.(TemA)


