Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e djeshme regjistrimin e koalicionit të dytë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ky koalicion është emëruar “Shpresa për Ndryshim” dhe ka në përbërje 7 parti politike, konkretisht Aleanca Kuq e Zi, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Demokracia e Re Europiane, “Partia Aleanca Popullore, Partia Balli Kombëtar, Partia Emigracioni Shqiptar dhe Partia Ora e Shqipërisë. Ky do të jetë formacioni i dytë politik për zgjedhjet e 30 qershorit, pas atij të kryesuar nga Partia Socialiste.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u paraqitën dje dy kandidatë për deputetë, që kërkuan të merrnin mandatin pas dorëheqjeve të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Të dy kandidatët janë nga lista e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës. Kandidati i parë që u paraqit ishte Selami Jenisheri, i cili është edhe kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë.
Ai ishte në listat e PD-së në zgjedhjet e vitit 2017 në bazë të koalicionit që bëri me Partinë Demokratike. Jenishehri ishte në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, me numrin 46. Por pas refuzimeve të njëpasnjëshme, kreut të Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë i ka ardhur ftesa që të jetë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë.
Me dorëzimin e formularit, Selami Jenishehrit i lind e drejta që të marrë mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës. Kandidati tjetër që u paraqit në KQZ ishte Besnik Troplini, edhe ky kandidat i PD-së për Qarkun e Tiranës. Troplini është anëtar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, parti e cila pritet të ketë dy deputetë në Parlament pas futjes së kryetarit të saj, Artur Roshi, dy javë më parë.


