Krahas zbatimit të Reformës në Drejtësi, punësimi do të jetë sfida dhe prioriteti kryesor i qeverisë ‘Rama 2’, jo vetëm gjatë vitit 2018, por me shumë gjasa, deri në fund të mandatit qeverisës. Për vitin 2018, qeveria ka planifikuar miratimin e disa projektligjeve dhe vendimeve, për nxitjen e punësimit.
Këshilli i Ministrave ka planifikuar miratimin e një ligji të posaçëm për punësimin, i cili do të pasohet me një sërë vendimesh, për të mundësuar zbatimin e tij. Ligji i ri që po përgatitet konsiston në hapjen e vendeve të reja të punës, të cilat do të jenë të përhershme dhe cilësore.
Për të mundësuar punësimin e grupeve që do të jenë prioritet, qeveria do të subvencionojë pagën, sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Objekt i ligjit të ri dhe i projektvendimeve janë të papunët, por do të jenë disa kategori të përcaktuara në radhët e të papunëve, që do të përfitojnë të parë.
Përfituesit
Kategoritë që do të përfitojnë fillimisht janë të papunët në nevojë apo që trajtohen me ndihmë ekonomike, studentët që sapo kanë mbaruar studimet, kryefamiljaret nëna, kryefamiljaret vajza, personat me statusin e jetimit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Në fokus për t’u punësuar do të jenë anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Gjithashtu, prioritet janë personat që i përkasin komunitetit të lesbikeve, gejve, biseksualëve dhe transgjinorëve. Po ashtu, prioritet do të jenë punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë brenda apo jashtë vendit.
Për këtë grup, ku përfshihen edhe të sapodiplomuar, qeveria do të mundësojë subvencionimimin e një financimi për çdo muaj praktike, në masën 100% të nivelit bazë të pagesës së papunësisë. Qeveria ka planifikuar edhe miratimin e një vendimi të posaçëm për programin e nxitjes së punësimit, nëpërmjet formimit në punë, i cili ka si qëllim formimin profesional të punëkërkuesve të papunë të pakualifikuar dhe më pas punësimin e tyre.
Mbështetja
Për të mundësuar punësimin e grupeve që do të jenë prioritet, qeveria do të subvencionojë pagën, sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Po ashtu, do të financojë çdo muaj praktike, në masën 100% të nivelit bazë të pagesës së papunësisë.


