Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së në Kuvendi e Shqipërisë Taulant Balla komentoi nga Elbasani ultimatumin që Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha i ka bërë mazhorancës në 16 shkurt, ku ka paralajmëruar një proteste masive. Balla kërkoi që opozita të heqë dorë nga ultimatume që cenojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ndaj i bëri ftesë që në seancën e radhës në parlament të miratojë marrëveshjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe të votojë paketën e reformës zgjedhore.
Z . Balla si e komentoni ultimatumin e vendosur nga opozita me 16 shkurt?
Opozita te heqë dore nga këto ultimatume që cenojnë rrugën tonë drejt fillimit të bisedimeve për anëtarësimin në BE. Të gjithë e dimë që në këtë proces shumë i rëndësishëm është edhe roli që luan opozita. Seanca e djeshme në kuvendin e Shqipërisë ishte një seancë tejet normale dhe apeli im është që këtë normalitet duhet ta vijojmë, sepse ne i kemi besuar opozitës dy role të rëndësishme në punën dhe ndërthurjen që ka kuvendi i Shqipërisë përgjatë procesit të Integrimit Europian.
I kemi besuar qoftë Këshillin Kombëtar të Fuqizimit dhe Komisionin e i Integrimit Europian në Kuvendin e Shqipërisë. Mirëpresim opozitën që në seancën e ardhshme, që do të miratojë marrëveshjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por që opozita të vijë të votojmë së bashku paketën e reformës zgjedhore. Së fundmi kemi një kod zgjedhor që adreson më së shumti tërësisht të gjitha rekomandimet e OSBE ODHIRIT, për të tre zgjedhjet e fundit”.
A ju frikëson kjo protestë PS-në, sepse mund të përdoret edhe dhunë. Duhet të jetë e qartë që Shqipëria është një rrugë pa kthim në zbatimin e plotë të reformës në Drejtësi. Kush mendon se me protesta, pa protesta, me bojkote pa bojkote mund të bllokojë implementimin e plotë të reformës në Drejtësi, krijimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të hetimit, e ka shumë gabim.