Gratë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, por pesha e tyre është ndër më të ulëtat në Europë dhe më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2024, gratë përbënin 55% të gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, ndërsa burrat 45%, sipas të dhënave të Eurostat. Me këtë nivel, Shqipëria renditet pranë fundit të klasifikimit europian, duke lënë pas vetëm disa vende si Polonia, Gjermania, Turqia, Lihtenshtajni, Irlanda dhe Islanda.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte përqindjen më të ulët të grave gjyqtare. Në Serbi, gratë përbënin 73% të gjyqtarëve profesionistë, në Bosnjë dhe Hercegovinë 64.8%, në Malin e Zi 63.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 61.4%.
Diferenca me Serbinë, që kryeson rajonin, arrin në 18 pikë përqindje. Shqipëria mbetet gjithashtu pas vendeve fqinje të Bashkimit Europian, si Greqia, ku gratë përbënin 75.5% të gjyqtarëve, dhe Kroacia, me 72.3%.
Të dhënat tregojnë se, ndonëse gratë janë shumicë në gjyqësorin shqiptar, ndarja mes gjinive është më e balancuar sesa në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës, ku profesioni i gjyqtarit dominohet më dukshëm nga gratë.
Gratë shumicë në pothuajse të gjithë Europën
Sipas Eurostat, përqindja më e lartë e grave gjyqtare u regjistrua në Slloveni, ku ato përbënin 81.4% të totalit. Pas saj renditeshin Letonia me 79.7%, Greqia me 75.5%, Luksemburgu me 73.6%, Serbia me 73% dhe Kroacia me 72.3%.
Në Francë, gratë përbënin 70% të gjyqtarëve, ndërsa në Estoni dhe Hungari pesha ishte përkatësisht 68.7% dhe 68.6%. Nivele mbi 65% u regjistruan edhe në Lituani, Portugali, Finlandë dhe Rumani.
Në skajin tjetër të renditjes, gratë ishin pakicë në Islandë, me 43.1%, në Irlandë me 43.6%, në Lihtenshtajn me 45% dhe në Turqi me 49.6%. Gjermania kishte një ndarje pothuajse të barabartë, me gratë që përbënin 50.7% të gjyqtarëve profesionistë.
Eurostat thekson se Irlanda ishte i vetmi vend i Bashkimit Europian ku burrat përbënin shumicën e gjyqtarëve. Në Slloveni, Letoni dhe Greqi, përkundrazi, gratë përbënin mbi tre të katërtat ose afër këtij niveli të totalit.
BE-ja kishte më pak gjyqtarë se një dekadë më parë
Në vitin 2024, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, nga 17.7 në vitin 2014.
Raporti më i lartë u regjistrua në Kroaci, me 43.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Sllovenia me 40.2, Luksemburgu me 36, Bullgaria me 35.4 dhe Rumania me 35.3.
Në anën tjetër, Irlanda kishte vetëm 3.6 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Austria 4.3, Spanja 6.2, Çekia 6.7 dhe Italia 7.9.
Në përkufizimin e Eurostat përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë edhe gjykatat e apelit. Nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë dhe anëtarët laikë të trupave gjyqësore./Monitor


