Kryeministri Edi Rama pranoi se skema e ndihmës ekonomike ka pasur marzhin e gabimit, duke nxjerrë nga skema familje të varfëra.
Por shumë raste që janë hequr, kanë qenë ata që e fitonin në mënyrë të padrejtë këtë ndihmë.
Rama u ndal dhe tek ngjarje e mbrëmshme në Berat kur sapo doli nga mbledhja e qeverisë në qytetin muze të Beratit u përball me qytetarët e hequr nga skema e përkrahjes sociale.
Rama tha se do të vlerësohet çdo rast por la të kuptojë se protesta e djeshme ishte e organizuar dhe ata që nuk duan të punojnë le të marrin rrugët e protestave:
“Skema ka marzhin e vet të gabimit dhe ka raste që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë bashkive 6 % të fondit shtesë dhe po bëjmë proces rivlerësimi që të mos lëmë askënd pa rivlerësuar.
Por eshtë e padiskutueshme që 70 % e atyre që kanë dalë nga skema janë 24- 45 vjeç në formë perfekte për punë
Do të vlerësojmë cdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të cdo familje.
Nëna kryefamiljare me fëmijë janë prioritet.
Burrat që duan ndihmë ekonomike le të shkojnë të marrin rrugat e protestave dhe të paguhen nga organizatorët e protesta.
Ne ndihmë ekonomike për ta nuk kemi.
Le ti grahin protestave se kjo histori duhet të marrë fund një herë e mirë.
300 mijë lekë janë shumë më tepër se 50 mijë lekë që është ndihma ekonomike mesatare.
Për parazitët nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marra nga taksat”.
Rama ka treguar përmes një rasti konkret të ndodhur në Berat, se ndihma ekonomike nuk mund të jetë kurrsesi për ata që refuzojnë të punojnë, por për familjet që janë në varfëri reale ekstreme.
“Sa i përket ndihmës ekonomike, në dalje të sallës së teatrit jam ndeshur me një person rreth të 40-ave.
Fizikisht shumë i admirueshëm, por kërkonte ndihmë ekonomike.
Në mënyrë të përsëritur i thashë që nga nesër mund të niste punë, në privat, por ai donte patjetër punë në bashki, duke thënë se ata që punojnë nuk kishin asgjë më shumë sesa ai.
Ai pranonte 5.000 lekë ndihmë ekonomike, e nuk pranonte kurrsesi të punonte në privat, nëse nuk siguronte një punë në shtet.
Ndihma ekonomike është për ato familje që janë në pamundësi për të punuar dhe në varfëri reale.
Nga kjo vlerësohet varfëria e thellë e jo varfëria nga të refuzuarit për të punuar, sepse ke ndonjë ndihmë nga të afërm që jetojnë në emigracion, e të lejohet luksi i të mos punuarit”, deklaroi Rama.


