Kryeministri Rama ka qënë sot në Vlorë, në ditën e përfundimit të punimeve të Lungomares së Vlorës që ka mundësuar rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare.
Pasi e cilësoi Vlorën qytet emblematik të transformimeve të vendit në vitet e fundit, Rama lajmëroi se nga viti i ardhshëm nis bulevardin e ri i Vlorës, që do të sjellë një transformim po kaq të madh përgjatë trupit të qytetit.
Më tej ai prezantoi të tjera projekte të rilindjes urbane në Vlorë, duke theksuar se ky projekt do shtrihet edhe më thellë në zonat periferike:
“Do të vijojmë me qendrën historike të Vlorës e cila do ti japë qytetit një mundësi për të shfaqur një pjesë të rëndësishme të identitetit të vet dhe më tutje me transformimin e aksit që na çon përmes Rradhimës në Orikum, ndërhyrjes për vijën bregdetare të Orikumit. Bashkë me Ministrin e Infrastrukturës jemi në diskutim për të finalizuar projektin e rrugës nga Orikumi përmes Llogarasë deri në Himarë. Për këtë kemi dy variante, transformimi i rrugës ekzistuese me standarte europiane të çertifikuara dhe varianti dytë, aks pjesërisht të ri. Por është në diskutim, mos më kërkoni që sonte ku është tuneli.”- deklaroi kryeministri.
Sipas tij, prova e rëndësisë së investimeve në infrastrukturën urbane është rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme.
“Kush do prova, le të kalojë me një sy të shpejtë çmimet e metrit katror në zonat ku është ndërhyrë, sa vlenin pasuritë e njerëzve para këtyre ndërhyrjeve dhe sa vlejnë më pas. Vlera e pasurive të patundshme do vazhdojë të rritet. Këto janë investime që influencojnë në të ardhmen e komuniteteve dhe të fëmijëve tanë”- tha Rama.