Kryeministri Edi Rama mirëpriti këtë të premte, 26 qershor, ish-presidentin e Francës, François Hollande, në një vizitë zyrtare, ku u vlerësua kontributi i tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Në një ceremoni të zhvilluar me këtë rast, Hollande u nderua me Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike, në shenjë mirënjohjeje për miqësinë, mbështetjen dhe angazhimin e tij në zhvillimin e bashkëpunimit Shqipëri–Francë.
“Në shenjë mirënjohjeje për miqësinë, mbështetjen dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, pata nderin t’i akordoj Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike. Vlerësim edhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për inkurajimin e rrugëtimit tonë europian dhe për besimin se vendi ynë ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në një Evropë të bashkuar”, ka shkruar kryeministri Rama.


