Asambleja e Akademisë së Shkencave u mblodh dje me urgjencë pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për heqjen e buxhetit dhe shpërndarjen e tij nëpër universitete. deklaroi publikisht se do të japë dorëheqjen si anëtar i ASH-së, nëse ky institucion rikthehet në modelin e vjetër.
Por nëse për modelin mendimet janë të ndryshme, duket se akademikët janë në një mendje për çështjen e financimit. Sipas tyre, heqja e tyre do të thotë mbyllje e Akademisë së Shkencave, çka nuk duhet të ndodhë, por ky institucion duhet t’i nënshtrohet reformimit.
Pas mbledhjes, akademikët nuk dolën me një deklaratë të përbashkët. Sipas një njoftimi të ASH-së, “një panel me akademikë të zgjedhur nga Asambleja do të mbajnë konferencë shtypi, ditën e enjte, datë 2 nëntor 2017, ora 13:00, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave”.
DEKLARATA E RAMES
Një nëndetëse të mbetur sovjetike, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, që ashtu si më herët ka deklaruar se nuk do të financohet nga buxheti i shtetit. Dy ditë më parë, Rama është shprehur se Akademia më parë duhet të reformohet dhe se fondet e këtij institucioni do të shpërndahen në universitete për kërkimin shkencor.
“Për të gjithë ata që kanë bërë diskutime ditët e fundit lidhur me Akademinë e Shkencave, ne nuk do të financojmë Akademinë e Shkencave. Ka një keqkuptim të madh, pasi është ngritur në hava një akuzë se po i japim dërrmën studimeve albanologjike. Jo, nuk është e vërtetë! Qendra e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë të financohet, siç është financuar. Studimet Albanologjike do të vazhdojnë të mbështeten drejtpërdrejt. Ndërkohë që në kushtet e reja, Akademia “sovjetike” e Shkencave do të duhet të hyjë në një proces reforme që nuk mund të diktohet nga shteti.
Paratë e shpenzuara kot për rroga e shpenzime të pajustifikuara, për të tundur flamurin sovjetik mbi çatinë e Akademisë së Shkencave, edhe 27 vjet pas rënies së komunizmit dhe nuk e di sa bëhen vitet që nga largimi i sovjetikëve, që nuk i morën dot nëndetëset me vete dhe lanë këtu mbi det Akademinë e Shkencave, do të shkojnë për kërkimin shkencor në universitet”, u shpreh Kryeministri ndër të tjera.
Beqiraj: Reformim bashkë me qeverinë, s’mund të mbyllet
Ende i padekretuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetari i zgjedhur nga Asambleja e Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, thotë se mbyllja e Akademisë nuk ka për të ndodhur.
Sipas tij, nëse Kryeministri flet për reformë, kjo nuk mund të flitet për një institucion që mbyllet. Ai mbështet variantin e bashkimit të Akademisë me institutet shkencore. Sa i përket mosdekretimit, ende nga ana e Presidentit, Beqiraj thotë se nga ana e ASH nuk është bërë asnjë shkelje në procesin e zgjedhjeve dhe pritet vendimi.
Cili ishte qëllimi i mbledhjes së Asamblesë së ASH?
Të gjithë anëtarët e Asamblesë morën në shqyrtim atë që tha Kryeministri dhe atë që ne duam të bëjmë. Jemi të gjithë në unison që të reformojmë Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me qeverinë. Sa i takon asaj që thuhet, për të cilën ne nuk kemi asgjë zyrtare, pra prerjen e buxhetit të ASH, është i njëjti mendim, i unifikuar, që kjo do të thotë mbyllje e Akademisë së Shkencave. Besoj se kjo nuk do të ndodhë kurrë.
A mund të bëhet reformë pa buxhet?
Nuk do të ndodhë kjo, nëse do të kemi parasysh atë që thotë Kryeministri që duhet të reformohet Akademia. Reformimi i Akademisë nuk mund të bëhet pa para.
Ka debat…
Të gjithë janë në një mendje për çështjen e reformimit, por me mendime të ndryshme. Dikush thotë që ASH të jetë me institute, si më parë. Instituti i Informatikës që unë drejtoja dikur, nuk ekziston më. Është thënë që do të ngrihet një qendër shkencore në Universitetin Politeknik dhe tani s’ka asnjë.
Për cilin variant jeni ju?
Unë jam pro për Akademinë me institute. Në të gjithë botën ekzistojnë dy modele, ai me institute dhe ai pa institute. Unë jam për modelin e parë.
Cili është mendimi i drejtuesve të instituteve për variantin e rikthimit nën ASH?
Një nga drejtuesit e Akademisë, Marenglen Verli, deklaroi se është dakord me gjithçka që vendos qeveria; për mua nuk ka rëndësi nëse jam nën ombrellën e akademisë apo jo. Për mua është shumë efektive varianti me institute, për të marrë me të vërtetë produkte nga shkenca.
Pas shumë mungesash në mbledhje, merr pjesë edhe akademik Artan Fuga, një nga kritikët kryesorë të aktivitetit të ASH, cili ishte qëndrimi i tij?
Artani është për modelin që kemi sot. Por sa i takon çështjes së buxhetit, është në një mendje me gjithë të tjerët.
Si e komentoni mosdekretimin tuaj nga ana e Presidentit të Republikës?
Këtë pyetje duhet t’ia drejtoni Presidentit. Ai, sipas Kushtetutës, duhet të dekretojë kryetarin e Akademisë së Shkencave. Nëse gjen diçka të parregullt në procedurën e zgjedhjeve, atëherë ai mund të mos e dekretojë. Deri tani nuk ka asnjë element të gabuar në procedura.
Nuk ka një afat?
Në Kushtetutë nuk ka asnjë afat.