Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një fenomen historik emigracionin në Shqipëri të nxitur jo nga arsye politike. Në një konferencë të organizuar mbi sfidat e emigracionit, kryeministri tha se shifrat janë larg “bombave” që hidhen përditë nga llogoret e propagandës politike e mediatike. Ai mori si shembull largimin e 50 mijë personave nga Kroacia, vend i BE-së në vitin 2017, ndërsa nga Shqipëria që nuk është pjesë e tregut të lirë të punës, u larguan gati 40 mijë.
“Faleminderit për këtë nismë që besoj ka një vlerë të veçantë në kontekstin në të cilin zhvillohet, në një vend ku sa herë flitet për emigracionin, debati spostohet në terrenin e hiperbolave dhe të arsyeve për konflikt apo për dëshpërim. Ndërkohë që është një fenomen historik mbi të cilin ka shumë e shumë për të analizuar, studiuar, reflektuar dhe mbi të gjitha i cili nuk përbën asgjë të veçantë për Shqipërinë në një fazë historike që ka përcaktuar lëvizjen e lirë si një risi dhe domosdoshmëri të munguar për shumë vite për shqiptarët. Kjo konferencë ka vlerën se i referohet fakteve dhe shifrave të vërteta duke ndërtuar një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik larg politizimit apo shpërdorimit për efekte të caktuara të një teme kaq komplekse dhe kaq interesante sa ç’ështe tema e emigracionit. Për më tepër ky debat në Shqipëri zhvillohet në kushtet kur Shqipëria por dhe vende të tjera nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës siç janë vende të tjera të BE-së. Dhe në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët apo banorët e vendeve të tjera të rajonit largohen dhe lëvizin drejt rajoneve më të pasura e të zhvilluara. Mirëpo kjo është larg të së vërtetës”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, nëse do i referohemi shifrave të gjitha vendet e reja të BE-së duke nisura nga Polonia do shohim se e vërteta është krejt ndryshe.
“Arsyet për t’u larguar sot për shqiptarët nuk janë arsye politike pra nuk lidhen me azilkërkimin politik por janë të njëjtat arsye për të cilat largohen nga vendi i tyre polakët, rumu7nët apo kroatët. Vetëm vitin e kaluar nga Kroacia janë larguar 50 mijë njerëz. 90% e të cilëve të reja dhe të rinj por ndryshe nga ne shqiptarët apo të tjerët që janë ende të paintegruar në tregun e lirë të punës ata nuk shënohen askund si azilkërkues sepse janë forca të lira të punës. Nëse 50 mijë njerëz janë larguar nga Kroacia në 2017, nga Shqipëria janë larguar 39905. Siç ndodh gjithmonë në debate, kur shkojmë tek shifrat, pasqyra është shumë më e ndryshme nga ça lihet të kuptohet prej rrjedhës intensive të propagandës”, tha Rama.
Fjala e kryeministrit Edi Rama:
Është një fenomen historik, mbi të cilin ka shumë për të analizuar, reflektuar, e mbi të gjitha nuk përbën asgjë të veçantë për Shqipërinë në një fazë historike, që ka përcaktuar lëvizjen e lire si risi dhe si domosdoshmëri të munguar për shumë vite për shqiptarët.
Për më tepër, konferenca i referohet fakteve dhe shifrave të vërteta duke ndërtuar një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik, larg politizimit apo shpërdorimit për efekte të caktuara të një teme kaq komplekse dhe kaq interesante sa emigracioni.
Ky debat në Shqipëri zhvillohet në kushtet kur vendi ynë, por dhe vende të tjera, nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës, si vendet e tjera të BE. Në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët ata që largohen dhe lëvizin në drejtim të vendeve më të zhvilluara, ndërkohë që kjo është larg të vërtetës. Nëse ju referohemi shifrave, në të gjitha vendet e reja të BE, nga Polonia e deri te Kroacia, do të shohim se e vërteta është ndryshe.
Arsyet për t’u larguar sot për shqiptarët nuk janë të natyrës politike, siç e tha dhe ambasadorja. Pra nuk janë arsye që lidhen me azil kërkim politik, por janë si arsyet e polakëve, kroatëve, rumunëve. Vetëm vitin e kaluar nga Kroacia janë larguar 50 mijë njerëz, 90% e të cilëve të reja dhe të rinj. Ndryshe nga ne, ata nuk shënohen si azil kërkues, sepse janë forca të lira pune, që lëvizin për një mundësi më të mirë punësimi. Nëse 50 mijë njerëz janë larguar nga Kroacia, nga Shqipëria janë larguar 39 905 dhe janë kthyer 25 mijë. Në Italinë e jugut, fenomeni i largimeve është fenomen kronik, që nuk është frenuar dhe as shmangur.
Po të shikojmë, trendin e lëvizjes më tutje, më 2011-2017, bazuar në matjet e Instat dhe Eurostat, numri i emigrantëve për çudi ka shkuar në rënie. Nga të dhënat më të fundit është lehtësisht e lexueshme që më 2017 në krahasim me 2013 kemi 20% më pak emigracion, ose 9500 persona më pak. Krahasuar me 2011 numri i emigrantëve ka rënë me 30%. Emigracioni nuk ka shpërthyer së fundi, ka pasur momente piku dhe rënie, është trend historik, që ka nisur që me nisjen e lëvizjes së lirë. Në vitet ’90 Shqipëria përjetoi një lëvizje masive drejt vendeve më të zhvilluara, në mbi 1 milion njerëz. Arsyeja kryesore ishte një jetë më e mirë në çdo aspekt. Jeta më e mirë mbetet edhe sot një arsye.
Janë 84% e emigrantëve, të cilët e lidhin me mundësinë për punësim lëvizjen e tyre drejt vendeve të tjera. Një nga rastet më tipike të diskutuara në mjedisin tonë është rasti i mjekëve drejt Gjermanisë, që përbën një burim për të analizuar dhe kuptuar se si një rast i tillë është lidhur me ambicien dhe nevojën e një mundësie më të mirë, por edhe me boshllëkun e lënë këtu në raport me një grup njerëzish. Kështu mund të lexojmë të gjitha grupet, për të kuptuar çfarë duhet bërë më mirë këtu, t’iu krijojmë kushtet këtu. Mjekët për katër vite me radhë, u mbyllën specializimet, u krijua një boshllëk shumë i madh, që u transmetua në mundësi reale të sistemit tonë për të plotësuar me mjekë të specializuar nevojat e infrastrukturës së shërbimit tonë shëndetësor.
Mjekët shkojnë për të kërkuar një mundësi më të mirë me një mundësi me më shumë të ardhura. Ne kemi krijuar një mundësi, që për t’i dhënë një mjeku që shkon të punojë jashtë Tiranës bonusin prej 2 milionë lekësh. Kjo e barazon motivimin me mjekun e larguar në Gjermani, duke zbritur dhe detyrimet nga taksat që atje janë shumë më të larta se këtu.
Nëse do të hiqnim kontributin e emigrantëve nga të ardhurat e përgjithshme në ekonominë tonë, edhe sot do të ishte e pamundur të imagjinonim një ekonomi që qëndron në këmbë, nuk do mund të mbijetonim. Janë 618 milionë euro të fituara nga emigracioni, një burim i rritjes së ekonomisë sonë për vite me radhë.
Programet e mundësive për investime dhe punë në rikthim. Kemi një rikthim të emigrantëve ashtu siç kemi dhe një largim të shqiptarëve në emigracion. Nëse do të shohim gjithë trendin e largimeve dhe rikthimeve në vitet 2011-2017 do shohim se diferenca mes largimeve dhe rikthimeve shkon duke u ngushtuar, jo sa për të vendosur baraspeshë, por shkon duke u ngushtuar. Kësaj tendence do t’i japim përgjigje adekuate, në funksion të atyre që rikthehen në tregun shqiptar të punës dhe investimeve të tyre në ekonomi.
Ka pasur debat të madh, çështja e azilkërkimit. Është e vërtetë që shqiptarët u përfshinë, për pamundësi lëvizje normale në tregun e lirë të punës, në valën e azilkërkimit, që arriti kulminacion të madh për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe u bë shumë zhurmë e spekulime me azilkërkuesit shqiptarë. Pa dashur të justifikojmë fenomenin dhe të vetëdijshëm se fenomeni duhet frenuar me doemos, sot jemi në kushtet kur kemi një rënie drastike të numrit të azilkërkuesve, qoftë për masa e marra në Gjermani apo në vendet e tjera, qoftë dhe vendet konkrete të marra nga qeveria shqiptare. Në 2017, 3 mijë shqiptarëve iu dha mundësi punësimi në Gjermani. Mund të punosh jashtë vendit me kualifikime pa kërkuar azil.


