Lulzim Basha ishte të premten në Durrës për të parë disa ngabanesat e prekura nga tërmeti. Ai u ndal në lagjen 17 në qytetin e Durrësit, ku një pallat, sipas banorëve ende nuk është vlerësuar nëse është apo jo i banueshëm. Gjatë takimeve në Durrës, një banor i kërkoi kryedemokratit të pranojë ftesën e Kryeminsitrit Edi Rama për t`u ulur së bashku dhe diskutuar rreth mundësive për përballimin e situatës emergjente.
“Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj. Unë jam i forcës kundërshtare me ju, dhe ju falënderoj që më dëgjon me respekt dhe të falënderoj që je këtu mes nesh”, i thotë banori Bashës.
Por, kryedemokrati iu përgjigj banorit duke i thënë se qeveria ka detyrat e veta, ndërsa opozita të vetat. Sipas Bashës, roli i opozitës është të përcjelli zërin dhe shqetësimet e qytetarëve. “Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”, tha Basha.