Qeveria ka hartuar një ligj të ri që synon rritjen me 1% të pensionit për çdo vit pune për personat që kanë kryer punë të rënda siç janë punonjësit e nëntokës, të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të metalurgjisë.
Shtesa për pensionin do të përfitohet nga këto kategori, të cilat aktualisht marrin pension për shkak të llojit të punës, pension pleqërie dhe pensionin invaliditeti, si edhe ata punonjës që do të dalin në pension.
Masa e përfitimit do të variojë nga 0,6 për qind deri në 1 për qind për çdo vit vjetërsie në punë.
Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistët që kanë përfituar pension, sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/ 2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, punonjësit që kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë shumë të vështira; shkrirje etj.
Projektligji përcakton se të gjitha kategoritë që do të përfitojnë shtesën e pensionit duhet të plotësojnë kushtet e moshës, periudhës së sigurimit dhe vjetërsisë në punë.
Konkretisht, drafti përcakton se përfituesit të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion; punonjësit e nëntokës 12,5 vjet; punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet./


