Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mbajti një fjalim gjatë ditës së sotme përpara qindra zyrtarëve të pranishëm, në prag të përvjetorit të nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, në fund të fjalimit të tij, Putin kishte një mesazh sfidues për Perëndimin pasi pezulloi pjesëmarrjen në traktatin e fundit të kontrollit të armëve bërthamore, të hartuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë në momentet e fundit të fjalimit të tij.
Putin gjithashtu u zotua të kryejë teste të armëve bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara do të bëjnë një gjë të tillë.
Udhëheqësi rus u zotua të nxisë “prodhimin masiv” të armëve dhe municioneve për të mbajtur gjallë makinerinë e tij të luftës në Ukrainë.
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka paralajmëruar veçanërisht vendet anëtare të Bashkimit Europian se janë në një “garë logjistike” kundër Rusisë, duke pasur parasysh nevojën jetike të partnerëve perëndimorë për të vazhduar furnizimin e ushtrisë së Ukrainës me municione për të luftuar.
Por analistët kanë paralajmëruar se shumë shtete evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk e kanë vendosur ende bazën e tyre industriale në një bazë lufte.
Në njoftimin më domethënës të fjalimit të tij, Putin tha se Rusia po ndalonte pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore START, i cili u nënshkrua në vitin 2010.


