Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ka lajmëruar se mbrëmjen e sotme do t’iu jap përgjigje të gjitha pyetjeve mbi OFL-në dhe se përse aksioni i sekuestrimit të pasurive nuk nis nga Surreli, Gjiri i Lalëzit apo nga Parlamenti.
Rama njofton që ta ndjekin tek ERTV apo në emisionin ‘Opinion’.
“Kush do të dijë cilët kap Ligji Special i pasurive kriminale; ku ndryshon thelbësisht pasuria e tyre nga pasuria e njerëzve të zakonshëm apo sipërmarrësve të vegjël a të mëdhenj, që kanë fshehur të ardhura nga puna e tyre gjatë tre dekadave të fundit; pse Operacioni Forca e Ligjit u shërben këtyre të fundit dhe mbi të gjitha Shqipërisë që duam; pse OFL nuk merret me “Surrelin”, “Gjirin e Lalëzit” apo “Parlamentin”; pse ky operacion nuk nisi më parë gjatë 6 viteve e gjysëm të mandatit tonë qeverisës e me radhë, përgjigjet e mia për të gjitha kundërshtitë e shfaqura ndaj këtij përshkallëzimi ekstrem të LUFTËS SË SHTETIT ME KRIMIN, le të më ndjekë sonte këtu, në ekranin e ERTV apo në ekranin e TvKlanit, në 21.00, përballë Fevziut dhe panelit të analistëve të tij”, shkruan Rama.


