Edhe pak orë kanë mbetur për të mësuar përmbajtjen e njërit prej vendimeve më të bujshme të procesit të pastrimit të sistemit të vjetër të drejtësisë shqiptare. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, do të shpallë të hënën e 11 qershorit 2018, vendimi për çështjen që mban Nr.1, për atë që në zhargonin e këtij institucioni njihet si “subjekti i rivlerësimit” me emrin Adriatik Llalla.
Do të jetë ora 13.00 kur trupa e këtij Kolegji, do të shpallë vendimin për ish Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës. Pritet që kërkesa e Komisionerit Publik drejtuar shkallës së dytë të procesit të vettingut, të meret parasysh. Që do të thotë, se edhe Adriatik Llalla me shumë gjasë do ti nënshtrohet hetimit administrativ të pasurisë, analizës së figurës morale dhe asaj të aftësive profesionale.
Llalla kohë më parë dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, duke i hequr mundësinë vetes që të emërohej gjyqtar në Apel, sipas ligjit “Për Prokurorinë”. Një vendim ky që do ta detyronte atë ti nënshtrohej vettingut. Por, frika nga ky proces, me sa duket e detyroi që të largohej për ti shpëtuar hetimit sidomos pasuror, nëpërmjet një kërkese që sipas Komisionerit, ka qene jo konform ligjit.
Adriatik Llalla përveçse hetimit administrativ nga institucionet e vettingut i është nënshtruar edhe një hetimi penal nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka ngritur katër akuza të rënda ndaj tij për pastrim parashë, fshehje dhe mosdeklarim pasurie dhe kalim të vlerave financiare përtej limiteve ligjore, jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në fillim të këtij viti, Sekretari i Departlamentit të Shtetit firmosi ndalimin e hyrjes në SHBAtë Adriatik Lallës, bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij më të rritur me motivacionin: Për pjesëmarrje në raste të mëdha korrupsioni gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Ai është përfolur se do jetë një nga peshqit e mëdhenj të korrupsionit që do të arrestohen.
Përgatiti: Alpenews.al


