Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se protesta e 7 korrikut është pikënisja e një sërë tubimesh që do të zhvillohen kundër qeverisë.
Gjatë një takimi me gratë e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Berisha u shpreh se PD është bërë tashmë një opozitë e vërtetë.
Sipas tij, demokratët kanë një kauzë të drejtë dhe se ato nuk humbasin kurrë.
“Tregu pavarësisht nga polarizimi që ka, në vende me politika të drejta, varfëria ekstreme nuk ekziston, ajo zhduket. Ekzistojnë të gjitha mundësitë e një shteti që qytetarët mos të kenë varfëri ekstreme. Jemi në një situatë kritike, por përsëri nëse do më pyesni, njësoj si në vitin 91’, ju garantoj se do fitojmë. Pse do fitojmë në një situatë shumë të vështirë? Së pari, ne rifituam vetë shpresën.
Ishim të pashpresë, sot kemi shpresë. Ajo që kemi fituar gjatë kësaj periudhe, është shpresa. Kemi fituar një gjë më të madhe, ne jemi bërë të vërtetë. Sot jemi bërë opozitë e vërtetë. Nuk ka gjë më thelbësore në një betejë se sa të jesh i vërtetë. Por ne, për të ecur drejt fitores, kemi detyra të vështira. Duhet të jemi realist.
Këtë shpresë që kemi ne, ta përhapim në zemrat dhe mendjen e grave dhe vajzave. Ne duhet të bëjmë që çdo ditë e më shumë që rradhët tona të shtohen. Konformizmi i elitës është problem madhor. Duhet të bëjmë gjithçka që çdo intelektual, të ndërgjegjësohet se roli i tij më kryesor është mbrojtja e interesit publik. Interesi publik është misioni i çdo intelektuali. Duhet të kontaktojmë me çdo njeri. Betejat bëhen në rrafshin psikologjik.
Mund të numërojmë 1000 të këqija të kësaj qeverie, por nëse nuk prekim mendjen dhe zemrat e qytetarëve, ai do eci në apatinë e tij. Duhet ta realizojmë në mjedisin ku jetojmë. Ne kemi një kauzë të drejtë dhe ato nuk humbasin. Nëse mbrohen, ato gadhënjehen
Data 7 do të jetë fillimi i betejës tonë. Por më duhet ti them cdo shqiptari, se ne pavarësisht se sot nuk jemi shumicë, ne do bëhemi shumicë. Ne asgjë në botë nuk na pengon pa u bërë shumicë, sepse është e drejtë kauza jonë. Ne kemi guximin dhe nuk meritojmë një qeverisje si kjo që kemi sot.” – tha Berisha.