Për të mësuar në çfarë stadi është dosja, nëse ka problematika apo mangësi në dokumentacion, qytetarët nuk do ta kenë më të nevojshme të rendin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.
ATP
Ky shërbim, duke nisur nga sot, do të mund të ofrohet online përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke iu lehtësuar punë dhe njëherazi kohë pronarëve. Vetë ATP përmes një njoftimi për mediat ka bërë me dije praktikën e re, duke vënë në dukje faktin se përmes saj synohet që t’i jepet zgjidhje mbingarkesës së krijuar në sportelet e institucionit.
“Çështja e pronave mbetet ende mjaft e ndjeshme dhe në sportelet fizike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave mbërrin një numër i konsiderueshëm kërkesash që kërkojnë të marrin përgjigje. Posaçërisht, online në portalin ‘e-Albania’ qytetarët e interesuar mund të kryejnë shumë shpejt dërgimin e një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga ATP-ja”.
Për të përfituar nga ky shërbim i ri, qytetarët mjafton të jenë të regjistruar në portal. Për të bërë këtë, nevojitet vetëm një mjet identifikimi. Veç kërkesës për t’u njohur me statusin e dosjet, pronarët mund të shfrytëzojnë dritaren elektronike edhe për depozitimin e ankesave që mund të kenë. Për t’i paraprirë çdo pritshmërie, ATP ka dhënë informacion edhe për afatet e shqyrtimit të çdo aplikimi.
“Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë ATP-ja, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mailit, si dhe te seksioni ‘Hapësira ime’, në portalin ‘e-Albania’.
Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me email, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga ATP-ja”, mbyllet njoftimi i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Aktualisht ka përfunduar vlerësimin financiar për dosjet e para ’95. Në harkun e më pak se dy viteve, pas miratimit të ligjit të ri, janë vlerësuar thuajse gjysma e vendimeve, nga 26 mijë që janë në total. Në fillim të majit, ATP publikoi edhe regjistrin me vlerësimin ekonomik për vendimet ’95. Nga 6838 dosje që i takojnë kësaj periudhe, vetëm për 4454 kishte faturë. Për pjesën tjetër të dosjeve të skeduara me mangë- si, afati i depozitimit të dokumentacionit të nevojshëm është deri në fund të këtij viti.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë prona do të vlerësohet me çmimin minimal, çka do të sjellë ulje të ndjeshme të masës së përfitimit. Përmbyllja e fazës së parë, asaj të vlerësimit ekonomik për dosjet e para ’95, hap një tjetër faqe, atë të aplikimeve. Nga të dhënat e ATP-së, mësohet se në 6-mujorin e parë janë ndarë 2 miliardë lekë ose thënë ndryshe 20 milionë dollarë, prej të cilave kanë përfituar vetëm 360 familje. Këtë vit fondi i vënë nga buxheti i shtetit për ish-pronarët ishte 30 milionë dollarë.


