Një tjetër hallkë në nivel drejtues i shtohet qendrave që ofrojnë shërbime shëndetësore.
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin, i cili parashikon që të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore të emërohen operatorë që do të kujdesen për menaxhimin e burimeve njerëzore e financiare.
Sipas vendimit, operatorë do të ketë në të gjithë vendin, ndërsa kostoja e kësaj fature financiare ndahet midis Ministrisë së Shëndetësisë, Sigurimeve Shoqërore dhe burimeve të tjera të paspecifikuara.
Ky projekt nuk ka kaluar në komisionin përkatës parlamentar, ndërsa nuk disponohet as relacioni shoqërues që shpjegon më qartë qëllimin e kësaj strukture të re organizimi.
ROLI I OPERATORIT
Për të menaxhuar me eficiencë burimet njerëzore e financiare në spitale e qendra shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë nuk i mjaftojnë drejtorët përkatës, por do të emërojë operatorët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Ata do të jenë pjesë integrale e MSH-së, që i jep një dorë realizimit të qëllimit final, shërbimi i duhur shëndetësor në kohë.
“Misioni i Operatorit është ofrimi i shërbimit të kujdesit parësor e spitalor në përputhje me nevojat, standardet, protokollet dhe kërkesat e përcaktuara, duke garantuar ofrimin e plotë, cilësor e në kohën e duhur të shërbimit dhe përdorimin në mënyrë eficiente të burimeve njerëzore e financiare, të aseteve dhe materialeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe shërbimin spitalor”, përcaktohet në vendim. Roli i tij do të jetë kryesisht organizativ. Bazuar në vendimin e qeverisë, operatorët do të organizojnë punën për ofrimin e shërbimeve bazë të shëndetit publik, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, organizimi i shërbimeve me shtretër në spitale rajonale e bashkiake, koordinimi i burimeve njerëzore si dhe funksionet e lidhura me çështjet financiare. Të gjitha këto duhet të bëhen në bazë të protokolleve dhe në përputhje me ligjin.
ORGANIZIMI I PUNES
Çdo qendër shëndetësore, klinikë a spital në çdo qytet të Shqipërisë do të ketë operatorin e saj, të varur nga drejtoritë rajonale, të cilat krijohen kur mbulojnë jo më pak se katër mijë punonjës. Operatorët rajonalë raportojnë te drejtori i përgjithshëm, i cili varet drejtpërdrejt nga ministri i Shëndetësisë. “Operatori drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e operatorit përkatës dhe përgjigjet përpara ministrit”. Por, përgjegjësia e operatorit kryesor është shumë më e madhe. Ai duhet të analizojë politikat dhe strategjitë e zhvillimit, të vlerësojë nevojat dhe problematikat e hasura gjatë ofrimit të shërbimit duke ndërmarrë për zgjidhjen e tyre edhe ekzpertizën më të mirë.


