Arta Marku nga nesër pritet të ulet në karriken e mbetur vakant të Adriatik Llallës në krye të Prokruorisë së Republikës. Prokurorja e Përgjithëshme e Përkohshme, deri tani ka qenë prokurore pranë organit të akuzës në Shkodër. Arta Marku njihet si një prokurore tejet heremetike, e kujdesshme për të mbetur jashtë vëmendjes mediatike e opinionit publik. Emri saj nuk është lakuar asnjëherë as për hetimin e çështjeve të bujshme por as edhe për arësye të tjera.
Po kush është Arta Marku?
Arta Marku, 41-vjeçe nga Puka, është prokurore në rrethin e Shkodrës është emri i vetë që PS mbështet për kryeprokurore të përkohshme.
Marku ka mbarur në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001 dhe ka një eksperiencë prej 15 vitesh si prokurore e këtij rrethi.
Mësohet se bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë.
Vetë Marku përgjatë karrierës së saj 15-vjeçare në Prokurorinë e Shkodrës, nuk ka hetuar asnjë dosje të rëndësishme.
Burime të sigurta i thanë Alpenews.al se përveçse mbështetjen e PS, Marku gëzon edhe pëlqimin e BE dhe SHBA, të cilët janë investuar aq shumë për reformen shqiptare në Drejtësi. Roli i Kryeprokurores së re pritet që te jetë kyç në sfidat e impelentimit te kesaj reforme, si dhe ne luften kunder korrupsionit, krimit të organizuar dhe në hapjen e dosjeve që deri sot kanë mbetur të mbyllura.
Skenari për të zgjedhur Arta Markun si pasardhëse të Adriatik Llallës, duket sikur shkon paralel me rastin e Laura Kodruta Kovesi, kryeprokurores së Rumanisë, e cila me një grusht të hekurt burgosi zyrtarë të lartë dhe i shpalli një luftë të egër krimit në shtetin e saj.
Arta Marku, prezantoi në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve platformën për t’u zgjedhur në krye të institucionit të Prokurorisë.
Marku përjashtoi veten nga ndonjë ndikim politik dhe zbuloi arsyet që e shtynë të bëhej pjesë e kësaj gare:
“Jam e martuar me dy vajza të mitura, kam prindër të thjeshtë, mesatare 10 në shkollë, studimet në fakultetin e Drejtësisë i kam përfunduar me mesatare 9. 7 në drejtësi, jam në brezin e parë të prokurorëve, shkolla e magjistraturës.
Që prej 2007 jam në Prokurorinë e Shkodrës, deri në janar 2016 kam dhënë dorëheqje sepse më duhej të kujdesesha për vajzën time të dytë, në çështjet e hetuara prej meje janë përdorur metoda hetimi që futeshin për herë të parë në Prokurorinë e Shkodrës dhe agjenti i infilturuar, blerja e simuluar për çështje që lidhen me trafikun e armëve, rrëmbim personi etj.
Jam jashtë ndikimit politik, pikënisje kam profesionalizmin, nuk i detyrohem askujt për asgjë. Nuk kam qenë asnjëherë subjekt i ndonjë procedimi. Së fundmi jam bërë pjesë e garës për KLP.
Motivi që kandidoj në këtë garë:
Dua të jem e sinqertë, do kisha pasur dëshirë të isha në kushte normale, pas krijimit të KLP. Unë iu përgjigja thirrjes publike pasi i plotësoj kushtet për t’u zgjedhur në këtë post, e shoh prokurorinë në kaos”, tha prokurorja Marku ndërsa u zotua:
“Do ruaj sekretin hetimor.
Do përfaqësoj me dinjitet e integritet institucionin.
Do garantoj një klimë të qetë në radhët e prokurorëve për zgjedhjen e 6 anëtarëve të KLP”.
Megjithatë, gjatë seancës Arta Marku është pyetur nëse mund të përmendte një çështje të rëndësishme që kishte mbrojtur në gjykatë, por ajo nuk mundi të thotë asnjë.
“Unë kam qenë pjesë e njësisë së përbashkët hetimore në Shkodër. Roli im ishte koordinimi i punës. Kam pasur çështje që numërohen me gishtat e dorës dhe nuk i kam përfaqësuar vetë në gjykatë” është shprehur Arta Marku.
Ende nuk dihet nëse Marku do të jetë gruaja e dytë, pas Ina Ramës, që do të drejtojë Prokurorinë e Përgjithshme.
Përgatiti: AlpeNews.al




