Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor është debati që ka perfshirë politikën në vend, në ditët e para të vitit 2020.
Dy ditë më parë përfaqësues të nismës ‘Thurje’ të shoqëruar nga deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë depozituar sot në Kuvend një peticion të firmosur nga mbi 50 mijë qytetarë, ku me anë të një projektligji kërkojnë disa ndryshime në Reformën Zgjedhore.
Nga ana tjetër, duket se kemi një ndryshim rrënjësor të faktorëve që dikur ishin “partizanët” e ndryshimit të sistemit.
Lulzim Basha ka qenë gjithnjë i lekundur, duke luajtur shpeshherë me fjalë në ligjerim publik. Gjithçka ka bërë është të thotë se është pro sistemit nderkohë që ka vepruar gjithnjë kundër tij.
Nga ana tjetër, aleatja e tij Monika Kryemadhi i ka habitur të gjithë kur ditë më parë u shpreh se LSI nuk ka ndermend ta ndryshojë sistemin. Çdo paqartësi, duket se do e zgjidhin brenda “familjes politike”.
I papritur ka qenë edhe reagimi i dy aleatëve të tjerë “të vegjël”, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, partitë e të cileve supozohej qe ky sistem do të “mbronte” më shumë.
ALPEnews.al sjell “dy fytyrat” e deklaratave, dikur dhe sot.
Lulzim Basha në tetor, 2019: “Absolutisht jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht, kam shprehur preferencën time për sistemin maxhoritar, për lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në parlament, pavarësisht, nëse partia e tyre është në qeveri apo jo, ku të mos shohin faktin, që kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën për çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptivë që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.”
Lulzim Basha sot me anë të njoftimeve të partisë demokratike e ka “shtyrë” këtë proces për një fazë të dytë dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor duket s enuk bën pjesë në asnjë draft.
Në 1 shkurt, 2019 Kryemadhi tha: “Duhet të rregullojmë sistemin. Unë tani do dal nga studio dhe më pret shoferi, do të shkoj me makinë në shtëpi. Po kur të shkoj 80 vjeç kush do më çoj. Do më gjejnë të vdekur në shtëpi dhe do qelbem erë”.
Sot: “Ne si LSI nëse nuk do të ndryshojmë sistemin. Ne do ta rikuperojmë brenda partisë tonë duke bërë votimin një anëtar një votë, për listat e deputetëve. Prandaj jemi dhe në verifikimin e të gjithë antarësisë dhe pajisjen me kartat e reja të anëtarësimit.”
Dashamir Shehi: Është e domosdoshme të ndryshohet sistemi, që mund të bëjë përzgjedhje përtej flamurit politik, ose të bëhen lista të hapura, ose një pjesë e zonave të bëhen maxhoritarë, sepse deri më sot shqiptarët votojnë listën që u ofron kryetari. Ky do ishte revolucion i madh, do kthente demokracinë dhe do krijonte piramidën e vlerave, një elitë politike, sepse vota e popullit do tregonte sa vlen ky.
Sot: Nëse zgjedhjet bëhen këtë pranverë të mbajmë këtë sistem që kemi.
Në 2017 Nard Ndoka theksonte se Shqipëria ka një Kod Zgjedhor antikushtetues, sistemi proporcional rajonal, që ka probleme me përfaqësimin e votës.
Sot: Pa u larguar Rama asnjë sistem nuk e shpëton Shqipërinë.
Oerd Bylykbashi: Ne kërkojmë reformimin e sistemit të partive politike. Pse? Sepse pa reformuar ose pa zbatuar rekomandimet, po nuk reformuam partitë politike do dështojë… Nëse ne nuk ndryshojmë mënyrën se si funksionojnë partitë politike dhe për rrjedhojë ne propozojmë ndryshimin, dështon çdo sistem zgjedhor. Sistemi zgjedhor që kishim ne 2001-2005 është nga më të mirët në botë. Dështoi në mënyrë klamoroze sepse politika shqiptare e masakroi atë sistem.
ALPEnews.al