Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se rasti i vetëm kur presidenti i vendit mund të zgjidhet nga populli do të jetë atëherë kur kushtetuta t’i japë disa atribute më shumë vendimmarrëse për të përfaqësuar vullnetin e popullit.
Ai tha se presidenti nuk duhet të jetë qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshqitur nga binarët ashtu si Ilir Meta. Rama tha se Meta shkeli Kushtetutën ndërsa Gjykata Kushtetuese e la në mes të rrugës vendimin e vet duke i konsideruar shkeljet e presidentit si jo të rënda.
“Ajo që duhet të bëjmë është një sforco e përbashkët duke i hapur rrugë ideve dhe propozimeve të secilit këtu në një proces konfidencial. Nuk mund të bëjmë një diskutim të hapur në këtë fazë dhe të hedhim emra që pastaj bëhen mish për top të mediave. Por një proces në respekt të atyre njerëzve që do të përfshihen në këtë rezervuar burimesh ku do të identifikojmë kandidaturën më të përshtatshme. Procesi nuk mund të mbetet i mbyllur vetëm brenda grupit parlamentar. Ne kemi edhe një komision për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit. Për të hapur edhe një kanal me publikun që tanimë është bërë duke u dhënë të gjithëve mundësinë të bëjnë propozimet e tyre.
Ka pasur një debat lidhur me psenë e moszgjedhjes së presidentit nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces që mbetet i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive politike në Kuvend. Është një temë që meriton të diskutohet. Në të gjitha rastet në kushtet ku jemi presidentin do ta zgjedhë kuvendi por ne kemi detyrimin t’ia japim njerëzve mundësinë të shprehen për këtë temë duke përcaktuar disa piketa. Sepse Shqipëria është republikë parlamentare dhe si e tillë nuk e mban dot në ngrehinën e vet një president të zgjedhur nga populli me këto kompetenca që figura e kreut të shtetit ka sot.
Shqipëria mund ta zgjedhë një president nga populli nëse ndryshon ngrehinën e vet kushtetuese dhe do i japë presidentit peshën dhe zërin e vet bazuar në atributet që jep kushtetuta. Nëse nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshqitur nga binarët si ndodhi me Ilir Metën që shkeli Kushtetutën, duke e lënë në mes të rrugës vendimin e vet pasi e konsideroi shkeljen jo të rëndë për ta shkaktuar presidentin. Se çfarë duhet të bënte tjetër Ilir Meta që ta shkarkohej kjo mbetet një enigmë’, tha Rama.


