Emocionet kanë qenë të përziera tek mbështetësit e të dyja kampeve politike në Shqipëri, pas arritjes së marrëveshjes për reformën e re elektorale, në tryezën e Këshillit Politik me shtysën e fortë të faktorit ndërkombëtar në Tiranë.
Për të fshehur dështimin e strategjisë së bojkotit dhe refuzimit të dialogut politik nga lidershipi i opozitës, si e vetmja fitore e madhe e saj në të gjithë këtë histori po përpiqet të ofrohet fakti se Edi Rama paska dështuar sepse është detyruar të heqi dorë nga komisionerët e Rilndjes.
Këtë nuk e thonë vetëm analistët opozitarë por edhe vetë kreu de facto i saj Sali Berisha. “Marrëveshja është për tu përshëndetur se ajo bëri të dështojë një përpjekje e hapur për ti varur ujkut në qafë mëlçitë e qëngjit, dmth për ti besuar administratës militantë socialistë të narkoshtetit administrimin e votës së qytetarëve shqiptar dhe shndërruar opozitën thjeshtë në një OJF vëzhguese të procesit të administrimit të zgjedhjeve”,- shkruan ai.
Por kjo është një shoshë aq e madhe, sa nuk e mbulon dot me gënjeshtra të tilla, diellin e fakteve.
E para, depolitizimin e komisionerëve NUK e ka propozuar PS e Rama. Ajo është një nga rekomandimet kryesorë të OSBE/ ODIHR. Kjo gjë nuk është kërkuar sot. As dje. Por prej plot 7 vjetësh në përfundim të 4 zgjedhjeve të fundit radhazi të zhvilluara në Shqipëri. Atë do ta gjeni në rekomandimet e raporteve të OSBE/ ODIHR për zgjedhjet e 2013 të organizuara nga vetë PD dhe Berisha. E më pas, në përfundim të zgjedhjeve lokale të 2015, ato parlamentare 2017 dhe në përfundim të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Ekspertët ndërkombëtarë që kanë hartuar rekomandime, kanë renditur plot 11 arsye për këtë. (LINKU)
Mbi të gjitha në këto konkluzione, prevalon mendimi se duke qenë të politizuar, për militantët praktika ka treguar se urdhërat e partive, janë shumë më të rëndësishme se rregullat dhe ligji zgjedhor. Gjë që ka sjellë edhe gjithë problematiken e hasur për 30 vjet me radhë, në proceset elektorale.
E dyta, ka qenë vetë opozita shqiptare që e ka patur kauzë të vetën gjatë viteve të fundit, çështjen e komisionerëve partiakë qoftë në zgjedhjet e sipërcituara, e mbi të gjitha në zgjedhjet e pjesëshme lokale të zhvilluara në qarkun e Dibrës.
“Opozita e Bashkuar” ka bërë për vite me radhë beteja politike pikërisht kundër komisionerëve partiakë, duke tundur si flamur të saj për këtë, përgjimet e “Bild” e komunikimet e një pjese të politikanëve të së majtës të angazhuar në terren në këto procese zgjedhore.
Ndaj, nëse do të kishte një grupim politik, një parti politike dhe një lider politik më të interesuar për depolizitimin e komisionerëve në zgjedhjet e ardhëshme, ai krej natyrshëm e logjikisht, duhej të vinte nga opozita në radhë të parë dhe jo nga mazhoranca në pushtet.
Dhe e fundit, po të jetë për mazhorancën, PS, Edi Ramën dhe gjithë përfaqësuesit e tjerë të saj a janë komisionerët në zgjedhjet e 2021 partiakë apo janë të depolitizuar, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në raport me PD dhe LSI, për aq kohë sa edhe ata i kanë komisionerët e tyre.
Mbi të gjitha, nuk është se komisionerët kanë qenë ndonjëherë të depolitizuar më parë, dhe rikthimi tek komisionerët partiakë, do ta vinte PS përpara ndonjë të panjohure!
Ata po kërkohen të vendosen të tillë me këmbënguljen e SHBA dhe BE pas rekomandimeve të OSBE/ ODIHR, si një standard që ekziston në të gjitha shtetet e tjera europiane. Dhe si një garanci më shumë, për realizimin e proceseve të ardhshme zgjedhore më pak të politizuara, me klimë më të qetë e për rrjedhojë edhe me standarde më të larta.
Nëse mbajtja ende në fuqi, e një rregulli që ka 30 vjet që aplikohet quhet fitore e madhe e opozitës, ata që e pompojnë atë thjeshtë sa kanë gjetur shoshën e gabuar, për të fshehur dështimin spektakolar të një viti e gjysëm që nga dalje e tyre në rrugë. Djegien e mandateve, daljen nga Parlamenti, humbjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 dhe të 61 bashkive në pushtetin lokal.
Nëse kjo fitore e cila nuk është as “si (ajo) e Pirros” të paktën, i ngushëllon vërtetë, me siguri që PS duhet të jetë e lumtur se vetë opozita për këtë!
Alpenews.al