E nxorrën më në fund kokën për “merakun e madh” që paska opozita për ekonominë kombëtare në këtë kohë koronavirusi, përmes masave të bëra publike nga PD e Lulzim Basha dhe LSI e Petrit Vasili.
E përbashkëta mes të dyja paketave të propozuara për biznesin dhe qytetarët e prekur nga pandemia globale, është se kanë nga 8 pika. Por ndryshimi qëndron se LSI duke dashur që të jetë më konkret në propozimet e saj, ka hedhur në treg një ide sa të rrezikshme, aq edhe të njohur në Shqipëri.
Kjo tregon se opozita nuk e ka fare mendjen tek planet për rregullimin e situatës ekonomike në vend, e aq më pak tek halli i qytetarëve shqiptarë, që po preken çdo ditë në xhepat e tyre nga kufizimet e vendosura si masë parandaluese mbrojtëse nga Covid- 19. Sepse paketa e propozuar prej tyre, është thjeshtë një kurth politik për qeverinë.
Mjafton të shohësh dy nga pikat e propozimeve të LSI për ta kuptuar këtë: “Garantimi i pagesës me vlerë 80% për të gjithë personat që janë në punë, por nuk mund të punojnë dhe për pasojë nuk paguhen për arsye të mbylljes së aktivitetit të sipërmarrjes ku ata punojnë për shkak të karantinës, përfshirë edhe të gjithë ushtruesit e profesioneve të lira. Pagesat të kryhen në numrat e llogarisë së të punësuarve”.
Dhe: “Të rimbursohen nga shteti sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kategorive të punonjësve të trajtuar me 80% të pagës, për të gjithë periudhën në të cilën këta punonjës do të jenë pa punë për shkak të karantinimit dhe kohës që do ti duhet biznesit për të rikthyer aktivitetin e tyre në punë”.
Duket që është një propozim i servirur nga mendje mjeshtrash të intrigës politike, të cilët përmes këtij kurthi ekonomik, kërkojnë që të përsërisin skenarin që u funksionojë për bukuri në vitet ’90, kur Ramiz Alia ishte ende në fuqi.
Presioni i fortë i ndryshimeve në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit, protestave masive në vend dhe greva e përgjithshme e sindikatave që kishin paralizuar Shqipërinë, detyruan komunistët e pamësuar me ligjësitë e ekonomisë së tregut, që të mernin një vendim që më pas rezultoi fatal jo vetëm për pushtetin e tyre, por mbi të gjitha për ekonominë kombëtare.
Ramiz Alia vendosi që ti jepte të gjithë punonjësve shqiptarë 80% të pagës pa punuar. Kjo çoi shumë shpejt në kolapsin total të arkës së shtetit. Në vend që ta qetësonte situatën e brendshme në vend, kjo nxiti të kundërtën. Sepse pas këtij vendimi u krijua ideja e gabuar se sistemi i ri ekonomik paska aftësinë që të sillte pothuajse të njëjtat të ardhura, pa punuar fare. E nga ana tjetër të nxitur nga opozita e asaj kohe që është edhe e sotmja, filloi shkatërrimi i fabrikave, uzinave, kombinateve, ndërmarrjeve të prodhimit dhe gjithçkaje tjetër që mbante në punë zinxhirin e ekonomisë sonë kombëtare.
Vetëm pak javë pas vendimit të 80%, vendi ishte zhytyr në kaos total dhe e vetmja rrugëdalje u gjet largimi i Ramiz Alisë nga pushteti dhe fitorja e opozitës në zgjedhje. Kaq mjafton për të kuptuar se edhe propozimet e opozitës sot, nuk sjellin asgjë tjetër veçse amulli. Fitimtarët e vërtetë nuk do të jenë qytetarët, por ata vetë që ëndërrojnë se përmes ofrimit të kurtheve të tilla, do të rikthehen në pushtet.
Alpenews.al


