Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se biznesi po falimenton.
Përnes një statusi në rrjetin social Facebook, ai shprehet se kryeministri Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit.
Ndër të tjera ai shkruan:
“Gjendja e bizneseve bëhet çdo ditë e më keq.Nuk ka xhiro, nuk ka konsum, nuk ka parà, sepse kjo qeveri nuk i ka në llogari ata që punojnë me ndershmëri. “Po falimentojmë”, është ajo që dëgjova më shpesh sot nga pronarët e bizneseve të vogla në njësinë 3 në kryeqytet.
Është njësoj keq kudo. Në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Vlorë, në Korçë. Në çdo cep të Shqipërisë bizneset po mbyllen, papunësia po rritet dhe numri i familjeve në varfëri është shtuar.
Biznesi dhe ekonomia nuk mbahen dot në këmbë as me urdhrat e facebook-ut të Edi Ramës, as me gënjeshtrat e tij. Paketa e parë ishte një gënjeshtër. Një ndihmë qesharake, që nuk mbulon as taksat apo tarifat e rritura lokale, as faturat e larta afrofe të energjisë dhe të ujit. Paketa e dytë ishte gjithashtu një gënjeshtër, më pak se rroga minimale për 2 muaj e gjysëm mbyllje e detyruar e biznesit dhe bashkë me të, mbyllja e vendit të punës.
Sot qytetarët e kanë kuptuar se kjo qeveri dhe kryeministër është e keqja e vendit, e keqja e ekonomisë, është barra më e rëndë për ta”, shkruan Basha. (TemA)


