Biznesmeni shqiptar, Armando Beqiri u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij në Islandë, duke lënë pas një fëmijë të mitur dhe gruan shtatzënë.
Mediat vendase raportojnë se krimi dyshohet se ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Viktima ndodhej prej 7 vitesh në Islandë, ku kishte mundur që të integrohej dhe të ndërtonte jetën e tij.
Beqiri kishte shkelur për herë të parë në Islandë në vitin 2014, duke mësuar fillimisht gjuhën dhe më pas ishte martuar me një irlandeze, me të cilën kishte lindur një fëmijë dhe ishin në pritje të një tjetri
Ai kishte marrë nënshtetësinë islandeze dhe kishte hapur një biznes atje, ndërsa mediat vendase e përshkruajnë dhe si një mbështetës të flaktë të ekipit kombëtar të futbollit të Islandës.
Pak para mesnatës së të shtunës, Armando parkoi makinën e tij në garazh dhe në momentin kur po i drejtohej derës kryesore të banesës një makinë u afrua dhe personi që ishte në të e qëlloi me disa plumba duke i shkaktuar vdekjen.
Plumbat e goditën Beqirin në shpinë, qafë dhe kokë, duke bërë që shanset që ai të mbijetonte të ishin të pakta. Në vendin e ngjarjes, Armando u gjet i shtrirë në gjak dhe u dërgua në spital ku u shpall i vdekur në Landspítali menjëherë pasi mbërriti atje.




