Rikthehen përplasjet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Refuzimi i 13 tetorit nga Lulzim Basha duket se nuk po kapërdihet nga presidenti dhe partia e tij, pasi kanë mbetur vetëm. LSI po e kupton se nga djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve rrezikon shkrirjen dhe për këtë arsye është e vetmja parti që mbështet 13 tetorin. Teksa deri më tani ishte Presidenti Ilir Meta ai që sulmonte Bashën, dje në sulme ka shpërthyer edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili. Ky i fundit ka bërë ditën e djeshme një reagim për mediat ku shprehet hapur se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza politike që ka kapur vendin. Mesazhi i tij ishte drejtpërdrejt për PD. Madje Vasili ka arritur deri aty sa ka thënë se braktisja e 13 tetorit do të thotë se je palë me Ramën. “Çdo ditë e humbur do të thotë një ditë më shumë në favor të rilindjes dhe shpopullimit kombëtar duke krijuar përfundimisht Shqipërinë më të keqe, që nuk i duhet me askujt dhe asnjë njeriu normal, por vetëm gangsterëve që kanë pushtuar sot qeverisjen e vendit.Sot dhe vetëm sot të gjithë shqiptarët, që duan të shpëtojnë vendin, por veçanërisht të gjithë ata, që kanë përgjegjësinë të udhëheqin opozitën politike janë përpara një prove për ndershmërinë e tyre edhe individuale ndaj interesave të vendit. Asnjë alibi nuk mund të ketë për askënd në rast se nuk e ndalin krizën sot. Një ditë e humbur sot janë vite të tëra të humbura dhe të parikuperueshme nesër. Ka vetëm një ilaç, ka vetëm një kurë, ka vetëm një mjekim ai është zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë. Shmangia nga ky mjekim i vetëm shpëtimtar, që janë zgjedhjet, do t’i bënte bashkëfajtorë të gjithë…”, ka deklaruar dje ai. Vasili argumenton se kjo krizë politike ka nevojë për sakrifica të cilat janë të paevitueshme dhe duhen bërë patjetër. Pra duket qartë se në opozitë ka plasur sherri dhe LSI po ngre dyshime se e gjitha ishte lojë Rama-Basha për ta fundosur këtë parti. “Çdo lloj hezitimi, takticizmi apo tërheqje përpara sakrificave të domosdoshme e të paevitueshme për zgjidhjen e menjëhershme të krizës është asgjë përpara efekteve të saj shkatërrimtare shumëvjeçare. Rreziku i një krize pa kthim është një fakt, është një imperativë kritike dhe që kapërcen çdo lloj mazhorance. Kriza pa kthim duhet ndalur sot sepse dimensioni i saj është i tillë saqë çdo dritëshkurtësi do të ishte vetëvrasëse.Rilindja ka gatuar një krizë shumë të rëndë, që i leverdis vetëm asaj dhe qëllimeve të zeza të saj për të mbajtur në këmbë antishtetin, që e pasuron pa fund atë vetë dhe dekurajon një popull të tërë duke i lënë si zgjidhje largimin e dëshpëruar jashtë vendit. Përballja me krizën dhe rilindjen, që e prodhoi krizën është e pashmangshme”, ka thënë Vasili ditën e djeshme.
LSI e hapur për dialog me PS
Ndërkohë që nënkryetari Petrit Vasili nuk ka reshtur me sulme kundër opozitës në mënyrë që kjo e fundit të marrë pjesë në zgjedhje, pasi sipas tij janë e vetmja zgjidhje për krizën politike, ish-deputeti i LSIShezai Rrokaj ka deklaruar në media se LSI është e gatshme të ulet në dialog me Partinë Socialiste për të diskutuar të gjitha modalitetet që kanë të bëjnë me problematikat që kanë shqiptarët sot.“Jemi të gatshëm të pranojmë edhe propozimin e Presidentit që të rikonsiderohet edhe zgjedhja presidenciale. Në këto kushte jemi të gatshëm edhe për dialog me Partinë Socialiste për të diskutuar të gjitha modalitetet që kanë të bëjnë me problematikat që kanë shqiptarët sot”, ka thënë ish-deputeti.Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit ai u shpreh se opozita nuk i ka njohur dhe nuk i njeh këto zgjedhje pasi për ta këto zgjedhje janë monopartiake. “Ne nuk njohim asnjë konstituim të këshillave bashkiak dhe asnjë konstituim të kryetarëve të bashkive në gjitha ato bashki, ku përgjithësisht në gati 50% ishin monopartiake. Kësisoj nuk njohim as këshillin bashkiak të konstituuar në një mjedis universitar në Shkodër” ka deklaruar Rrokaj.