Nuk do të ketë qetësi dhe siguri për rreth 80 mijë punonjës të administratës shtetërore, në të cilën, sipas kryeministrit Edi Rama, ka ende shumë grabitqarë dhe parazitë. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, qeveria ka parashikuar përfundimin e procesit të ristrukturimit të ministrive të linjës dhe institucioneve të varësisë, proces ky që ka nisur që nga fundi i vitit 2017, në kuadër të motos ‘të çojmë tepsinë për skrap’.
Shqiptarja.com zbardh një dokument të Departamentit të Administratës Publike, i cili përcakton afatet për përfundimin e procesit të analizës së gjendjes aktuale të administratës, për rishikimin funksional të institucioneve shtetërore dhe për ristrukturimin e ministrive të linjës. Dokumenti gjithashtu parashikon tremujorin e dytë të vitit 2018 si afat për vënien në zbatim të modelit të ri të organizimit të administratës shtetërore, çka pritet të prodhojë largime të punonjësve nga administrata, pikërisht për shkak të ristrukturimit të institucioneve, përshkimit të vendeve të punës dhe shkurtimit të vendeve të panevojshme të punës, të projektuara për parazitët.
Sipas planit, kanë nisur dhe do të përfundojnë brenda muajit qershor të këtij viti edhe dy procese të tjera të rëndësishme. Bëhet fjalë për udhëzimet për menaxhimin e burimeve njerëzore në nivel lokal si dhe për adoptimin e formateve standarde për përshkrimin e punës, procedurat e rekrutimit, dhe vlerësimit të perfomancës për menaxhimin e burimeve njerëzore. Në fokus të ndërhyrjeve dhe reformave do të jetë edhe pushti vendor, i cili është më shumë i pritur drejt abuzimit. Plani parashikon hartimin programeve model të transparencës për pushtetin vendor. Po ashtu, të gjitha bashkitë duhet të miratojnë dhe zbatojnë programet e transparencës sipas ligjit për të drejtën e informimit. 61 njësitë vendore duhet të caktojnë nga një koordinator për të drejtën e informimit.
Rishikimi i pagave
Rishikimi i pagave për punonjësit e administratës publike do të mundësohet vetëm në vitin 2019. Kështu parashikon plani i qeverisë, i cili do të zbatohet përmes Departamentit të Administratës Publike. Hartimi dhe miratimi i një dokumenti për politikat në sistemin e pagave dhe miratimi i strukturës së re të pagave në administratën publike, parashikohet në tremujorin e dytë të vitit 2019, për të vijuar më pas me miratimin e vendimeve të reja për pagat dhe zbatimi i strukturës së re të pagave.
Gjithashtu parashikohet edhe rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese.
Paralajmërimi i komisionerit
Edhe komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2017, thotë se ristrukturimi i ministrive të linjës është në fazën finale. “Aktualisht ky proces ka hyrë në fazën finale të tij, pasi janë administruar propozimet e komisioneve të ristrukturimit në ministritë e linjës, në lidhje me sistemimin e nëpunësve në vendet e mbetura apo të krijuara rishtas, e po kështu edhe vendimet përfundimtare të njësisë përgjegjëse, Departamentit të Administratës Publike, për emërimin përfundimtar të tyre, apo lirimin nga shërbimi civil”, thuhet në raport.
Komisioneri ka dërguar institucioneve një udhëzim me disa procedura që duhet të ndiqen gjatë procesit të ristrukturimit, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore dhe respektimin e të drejtave të nëpunësve civilë. Pas dërgimit të këtij udhëzuesi në të gjitha ministritë e linjës dhe pranë Departamentit të Administratës Publike, si dhe me përfundimin e procesit të konstituimit të Këshillit të Ministrave, Komisioneri ka nisur monitorimin e procesit të ristrukturimit.


