Zyrtari më i lartë i migrimit të Bashkimit Evropian ka pranuar se asnjë vend afrikano-verior nuk ka rënë ende dakord të strehojë qendrat e kontrollit të emigrantëve, për të përpunuar kërkesat e tyre.
Detajet e një plani të BE-së për të parandaluar “derdhjen” e emigrantëve në det u shfaqën të enjten pasi Italia kritikoi axhendën e një samiti emergjent se nuk ka ofruar mjaftueshëm ndihmë për të përballuar fluksin e të ardhurve.
Dimitris Avramopoulos, komisioneri evropian për emigracionin, tha se BE dëshironte të “intensifikojë bashkëpunimin” me Algjerinë, Egjiptin, Libinë, Tunizinë, Nigerin dhe Marokun, pasi njoftoi planet për të krijuar një “skemë rajonale të zbarkimit
Deri më tani, asnjë vend afrikan nuk kishte rënë dakord të strehonte qendra të tilla, konfirmoi ai. “Duhet të diskutohet me këto vende. Një propozim zyrtar nuk është vënë akoma në tavolinë”, tha ai.
Ideja për qendrat e përpunimit të emigrantëve në det të hapur mbetet e paqartë, me shumë pyetje politike, praktike dhe ligjore pa përgjigje. Mbetet e paqartë, për shembull, nëse migrantët në një anije shpëtimi në ujërat evropiane mund të ktheheshin në një vend afrikano-verior.
Tahar Çerif, ambasadori tunizian në BE tha: “Propozimi u vu përpara qeverisë tonë disa muaj më parë gjatë një vizite në Gjermani, u pyet edhe nga Italia, dhe përgjigja është e qartë: jo!


