Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmë ku disa të rinj u konfliktuan me njëri-tjetrin, dhe u plagos njëri prej tyre.
Policia në njoftimin e shpërndarë për mediat bën me dije se ka arrestuar autorin e dyshuar shtetasin A.P. 17 vjeç banues në Durrës dhe bashkëpunëtorin e tij.
“Shtetasi B.Gj. e ka ndihmuar autorin e dyshuar që të fshehë armën e zjarrit me të cilën ka kryer veprën penale. Është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë(me fishek në gojë).”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë
Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Arrestohet autori i dyshuar dhe shoku i tij, i cili e ka ndihmuar të fshehë armën e krimit.
Sekuestrohet mjeti i kryerjes së veprës penale.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore të specializuar dhe të mirëorganizuar kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin vetëm pak orë pas ndodhjes së ngjarjes mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Pas një ndjekje të pandërprerë kanë arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin:
A. P. 17 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi i mësipërm dyshohet se më datë 04.04.2018, rreth orës 17:30, në lagjen Nr.6, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin S.K. 18 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi i dëmtuar ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është arrestuar edhe shtetasi:
B.Gj. 17 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi B.Gj.e ka ndihmuar autorin e dyshuar që të fshehë armën e zjarrit me të cilën ka kryer veprën penale.
Është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë(me fishek në gojë).
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale:
“Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit A.P. parashikuar në nenet 76, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
“Përkrahja e autorit të krimit”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit B. Gj. parashikuar në nenet 302 dhe 278/1 të Kodit Penal.


