Gjobiten dhe pezullohen 12 guroret që ushtronin aktivitet për shfrytëzimin e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit. Masat ndaj tyre janë ndërmarrë gjatë inspektimit në terren të një ekipi me inspektorë të Inspektoriatit Mjedisor dhe përfaqësues të Agjencisë së Mjedisit dhe Zonave të Mbrojtura nën drejtimin e ministrit të Turizmit dhe të Mjedisit, Blendi Klosi. Përveç gjobitjes dhe revokimit të lejes mjedisore, ministri Klosi tha se i gjithë dokumentacioni i tyre do të kalohet në sitë dhe sipas shkeljeve të konstatuara do të merren masa të ashpra deri në ndjekje penale.
Ne nuk mund të lejojmë që këto gurore, si shumë gurore në Shqipëri, të shfrytëzojnë pasuritë natyrore jashtë çdo kriteri mjedisor. Prandaj Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Inspektoriatin, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit do të ndërmarrin një reformë të tërë përsa i përket të gjithë sistemit të guroreve në Shqipëri. Do të reduktohen në mënyrë të menjëhershme të gjitha lejet mjedisore të dhëna për guroret të cilat janë jashtë kritereve. Do të kërkohet evidentimi i problematikave të gurores, duke parë lejet dhe mënyrën sesi shfrytëzohen këto gurore, pasi këto duhet të kenë një leje të mirëpërcaktuar, mënyrë pune të mirëpërcaktuar dhe mbrojtje mjedisi të përcaktuar me ligj”.- theksoi ministri.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit, paralajmëroi se nuk do të tolerohet më asnjë biznes që shkel ligjet në fuqi dhe se ka ardhur koha që bizneset të zhvillohen në respekt të mjedisit dhe komunitetit. “Ne i vlerësojmë shumë të mirat që vijnë nga biznesi, ne vlerësojmë shumë mundësinë e punësimit të banorëve të zonës, vlerësojmë shumë që këta biznesmenë duan të fitojnë para, por këta biznesmenë që duan të fitojnë para nuk mund të shesin një pjesë të mjedisit shqiptar për përfitime.




