Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Vasili, ka deklaruar se aksioni për arrestimin e 3 ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit është dekonspiruar nga policia, ashtu siç kishte ndodhur me shumë aksione të tjera të mëdha të policisë.
Vasili ishte i ftuar në studion e Report TV ku deklaroi se kupola e policisë ka qenë e inkriminuar dhe e zhytur në trafikun e drogës.
“Shumë aksione të mëdha janë udhëhequr nga Prokuroria dhe janë dekonspiruar nga policia. Si në rastin e djeshëm. E gjithë policia, kupola, ka qenë thellësisht e inkriminuar, pjesë mbështetëse e inkriminuar thellë në trafikun e drogës. E gjithë kjo kupolë ka qenë e inkriminuar dhe në krye të kupolës, drejtori i përgjithshëm qenka i vetmi i pastër dhe drejton me shumë kompetencë një strukturë të inkriminuar.
Një i inkriminuar i madh është ish-ministri i Brendshëm. Këto janë fakte alarmante. Është prova që ata të cilët kanë drejtuar në polici, po shpërndahen deri në Australinë e largët që të jenë gojëmbyllur, që të mosflasin dhe të mos nxjerrin të vërteta të frikshme”.


