TIRANË– Protestuesit iu rikthyen sërish përplasjeve mbrëmjen e së martës gjatë protestës së 94-ët para Kryeministrisë. Për rreth 2 orë, të udhëhequr nga disa prej organizatorëve, ata mbajtën të bllokuar hyrje-daljet e Kryeministrisë, ndërsa brenda ndodhej shefi i qeverisë Edi Rama
Duket si një strategji e menduar për përplasje, pasi ndryshe nga herët e tjera, mbrëmjen e kaluar protestuesit nuk mbajtën fjalime në bulevardin para Kryeministrisë. Përplasjet nisën prej orës 20:00 dhe vijuan deri në orët e vona, duke çuar në pranga 14 prej protestuesve, mes tyre edhe disa prej personave që njihet si organizatorë të tubimeve si, Edison Lika, Arvina Lleshi, Dritan Goxhaj apo Arben Kola. Dy të fundit ishin edhe ata që nxitën përplasjet, ku përmes megafonit i bënin thirrje protestuesve të rrethonin godinën qeveritare.
Protestuesit u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë dhe siç thotë policia, bllokuan hyrjet dhe daljet e institucionit, ndërsa brenda ndodheshin personalitete të larta shtetërore, duke iu referuar kryeministrit Rama. Për këtë arsye, efektivët e policisë krijuan një kordon me qëllim që protestuesit të mos depërtonin brenda perimetrit të sigurisë. Pavarësisht thirrjeve të Policisë për rreth 30 minuta kundrejt protestuesve që të lironin rrugën ata nuk u tërhoqën, por u konfrontuan me efektivët.
Policia e Tiranës thekson se protestuesit me veprimet e tyre jo vetëm që cenuan rendin dhe perimetrin e sigurisë të një institucioni të një rëndësie të veçantë siç është Kryeministria, por edhe “penguan qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e lirë të personaliteteve të larta shtetërore”, duke iu referuar sërish Kryeministrit Rama, i cili i la ambientet e zyrës vetëm pasi u shpërndanë protestuesit.
“Shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore”, njoftoi Policia e Shtetit.
Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë, u ulën në rrugë, si dhe goditën dhe shtynë efektivët. Çka bëri që policia të nisë me shoqërimet dhe tashmë 14 prej protestuesve iu është komunikuar edhe arresti.
Përplasjet u zhvendosën edhe para komisariatit numër 3 në Tiranë, atje ku po mbaheshin disa protestues. Ndaj 14 të arrestuarve rëndojnë 4 vepra penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Njoftimi i plotë i policisë
Tiranë/Kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë dhe bllokuan hyrje-daljet e Kryeministrisë, në kohën kur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë ndodheshin personalitete të larta shtetërore, arrestohen 14 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 01.09.2026, pranë Kryeministrisë:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. J., 47 vjeç; A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç.
Më datë 01.09.2026, rreth orës 20:00, një grup pjesëmarrësish në tubim u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet në ambientet e këtij institucioni, në kohën kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, me qëllim moslejimin e depërtimit të mëtejshëm brenda perimetrit të sigurisë.
Tubuesit vijuan qëndrimin në rrugën “Ismail Qemali”, përpara hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të punonjësve të Policisë, për rreth 30 minuta, nëpërmjet megafonit, për shpërndarjen e tubimit dhe lirimin e rrugës.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.
Pavarësisht thirrjeve të Policisë, tubuesit vijuan me thirrje dhe veprime aktive për kundërshtimin me forcë të punonjësve të Policisë të planëzuar në kordonin e sigurisë.
Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


